Çmime astronomike – Deri 11 mijë e 748 euro është paguar një biletë aeroplani nga buxheti i shtetit

Pas pesë muajsh, përfaqësuesit shtetërorë mund të mbesin pa udhëtuar me aeroplanë në vizita zyrtare. Nëse vazhdojnë të shpenzojnë me ritmin e njëjtë në aviobileta, në këtë kohë do të harxhohet shuma e kontraktuar prej 5 milionë eurosh, ani se ajo ishte planifikuar të mjaftonte deri në fund të vitit 2021.

Për shërbime të transportit ajror, Agjencia Qendrore e Prokurimit e kishte kontraktuar kompaninë “Malësia Reisen”, meqë ajo kishte ofruar tarifën më të lirë të shërbimit. Por biletat që i ka siguruar gjatë realizimit të kontratës kanë çmime astronomike.

Vetëm fatura e një bilete për Ministrinë e Punëve të Jashtme peshon 11 mijë e 748 euro. Edhe dy të tjera të prera për Presidencën kanë çmimin mbi 11 mijë euro.

Prejse kjo kontratë ka nisur të zbatohet në dhjetor të vitit 2018, janë lëshuar 8 mijë e 570 bileta me kosto mbi 4 milionë euro. Me çmim më të lartë se 1 mijë euro ishin procesuar 573 bileta.

Çmimet janë në shpërputhje me kontratën, e cila kërkonte kosto sa më të ulët.

Në AQP nuk kanë një raport që tregon destinacionet, për të cilat janë nxjerrë biletat e shtrenjta.

E, në kompaninë “Malësia Reisen” kanë thënë se gjatë realizimit të kontratës e kanë arkëtuar vetëm tarifën e shërbimit për biletë prej 3 eurosh.

Por, KOHA ka gjetur se për më shumë se 2,200 bileta mungojnë të dhënat në raportet e nxjerra nga sistemi relevant ndërkombëtar, që tregon çmimin real të shitjes. Kësisoj, institucionet e kanë paguar kompaninë, pa dërguar ajo në Agjencinë Qendrore të Prokurimit dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi ishte real, ose nëse biletat ishin blerë vërtet apo jo.

Agjencia Kundër Korrupsionit prej vitesh ka alarmuar se kompanitë që shteti i kontrakton për shërbime të transportit ajror e kanë mundësinë që të manipulojnë me çmimet.

Presidenca është institucioni kampion për kah mesatarja e çmimit të biletave, e cila është 893 euro. Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme për koston totale, krahasuar me institucionet e tjera, e që arrin në afro 800 mijë euro.

Përderisa institucionet nuk kanë inspektuar kompaninë për të parë nëse në sistem ka ndryshuar çmimet me rastin e printimit të biletave, shteti i ka dy rrugë për të mos bllokuar udhëtimet zyrtare: Të shpallë tender të ri ose ta aktivizojë një nen të kontratës, i cili mundëson që pa tender të vazhdojë shërbimin e njëjtë nga “Malësia Reisen” deri në vlerën 30 për qind të kontratës 5-milionëshe.