Çka ka Kurti që po i sulmon, si iu përgjigj opozita videos së VV’së?

Kryeministri Albin Kurti  vendosi t’i godasë edhe një herë partitë opozitare – kryetarët e së cilave herë pas here i thërret për t’u takuar – duke i akuzuar për keqqeverisje kur e kishin pushtetin. Opozita beson se Kurti në këtë mënyrë po mundohet ta mbulojë mossuksesin në qeverisje dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ndonjëri nga opiztarët  edhe iu përgjigj videos së VV’së së titulluar “çka ka, çka s’ka”? Rreth kritikave për mospunë, Kurti reaogi një ditë pas akuzave, kur mblodhi ministrat. Nga qeveria e tij kërkoi më shumë rezultate.

Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi pasditen e së martës për ta publikuar një video. Ishte rreth një minutë e gjysmë, por plot akuza për qeveritë e mëparshme.

“Çka ka çka s’ka këto dy vite?”. Me këtë pyetje niste videoja e partisë në pushtet, që në vijim përzgjodhi mbi njëzet përgjigje dhe pothuajse secila prej tyre përmbante pjesëzën “nuk”. Deri në fund, shumica e përgjigjeve u renditën me “nuk ka”.

“Nuk ka privatizim të fabrikave dhe tokave shtetërore me 1 euro ari. Nuk ka pronësi private mbi terminalet doganore. Nuk ka vjedhje të drogës në dhomë të dëshmive. Nuk ka këshilltar e shofer ministror që bartin drogë me logjistikë shtetërore. Nuk ka vjedhje të 2 milionë eurove nga Thesari në pikë të ditës dhe as vjedhje të kasafortës së AVUK-ut nën kujdesin e policisë. Nuk ka më zhvatje të dhjetëra milionë eurove nga ndërmarrjet publike prej oligarkëve. Nuk ka falje të miliona eurove për kompanitë e mëdha vendore e të huaja veç pse i është tekur dikujt. Nuk ka më emërime partiake e familjare në borde të ndërmarrjeve publike”, thuhet ndër tjerash në video.

Në fund, videoja mbyllet me këto fjalë: “Ka shtet, ka shoqëri, ka qytetari. Ka Republikë!”.

Opozita reagoi ‘online’ e me konferenca për shtyp

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ishte pothuajse i pari që reagoi.

“Duhet të jesh në një gjendje fort të mjerueshme politike siç janë sot Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti, që pas dy vite qeverisje, në vend se të prezantojnë rezultate të punës, të vetmen gjë që kanë prodhuar, janë videot me propagandë ku sulmojnë kundërshtarët politik me akuza e kundër akuza. Kjo është simptomë se pushteti i Kurtit ka ra në një gjendje të mjerueshme, dëshpëruese dhe të pashpresë. Mjerim për ta, e fatkeqësi për vendin”, shkroi ai.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quajti fashizëm politik sjelljen e LVV-së. Ai paralajmëroi se kjo video do ta pamundësojë koordinimin e nevojshëm politik përballë sfidave që tha se e presin Kosovën.

“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet. Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik. Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryjnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë”, shkroi Hoti.

Doarsa Kica – Xhelili, deputetja që s’ka shumë kohë që u largua nga grupi parlamentar i LVV-së në Kuvend për të kaluar te LDK-ja, e mori vetëm pyetjen në fillim të videos dhe më pas renditi një sërë përgjigjesh.

“Çka ka çka s’ka? Ka vjedhje të mostrave të rastit të Astrit Deharit. Ministrja e Drejtësisë, e NJËJTA që para një kohe për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë tha “Jap dorëheqje në momentin që gjeni përgjegjësi individuale apo të tërthortë”, sot shfajësohet. Ministrja, tha, janë fshirë xhirimet nga kamerat. Pse, sa kohë të qenka dashur ta kuptosh që të janë vjedhur mostrat? Pra çka ka? Ka papërgjegjësi, dhunë morale e etike e keqpërdorim brutal të rasteve individuale që kanë prekur e vazhdojnë të prekin emocionet më të thella e brishta njerëzore për diskurse të gërditshme politike”, shkroi ajo.

“Çka tjetër? Ka gjykim PUBLIK nga Kryeministri i Kosovës dhe akterë tjerë në qeveri të rastit të fundit në Shtërpcë. Gjykim publik të një pjesëtari të FSK-së pa u zbardhur rasti nga drejtësia. E çka ndodh nëse i dyshuari del të jetë viktimë e një sulmi të planifikuar e vetëmbrojtje? Me gjasë e përmbyllin me një fotografi me lavde e kushtime fiktive. A ka edhe më? Sa të duash. Ka ndërhyrje flagrante në drejtësi nga akterë institucional. Ka këshilltarë të Ministrisë së Drejtësisë që publikisht gjykojnë palë të proceseve gjyqësore për raste që po gjykohen e nuk janë përmbyllur. Akterë që s’e kanë as idenë më të vogël çka nënkupton ndarja e pushteteve e duan ndërkohë në emër të reformave të thella t’i pavarësojnë tutje këto institucione pa e pasur të qartë as për vete konceptin e pavarësisë institucionale”, shtoi ajo, duke vazhduar edhe më tej.

“A është kjo e gjitha? Jo. Ka ende shumë. Vetëm muajin që shkoi. Por duket që në vend të punës në zbardhje të rasteve, reformave efektive e kërkimit të përgjegjësisë së mirëfilltë, do të ‘vetëkënaqen’ edhe një kohë me të kaluarën sepse dy vitet që shkuan ky vend po jeton në realitete paralele, atë të përgjithshmin, dhe atë që shpërfaq Lëvizja Vetëvendosje. Çka ka çka s’ka? Paaftësi e kamuflim të saj. E halli, ku? Ku nuk mban më”, shkroi deputetja e LDK-së.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se sikur LVV ta përgatiste një video për sukseset në qeverisje, ajo “kish me zgjatë 5 sekonda”.

“Suksesi i VV në dy vite qeverisje është editimi i videove propagandistike. Se, dorën në zemër, me e realizu një video për sukseset e tyre në qeverisje, ajo video kish me zgjatë 5 sekonda, pak a shumë sa ecja në urën pak metërshe të inauguruar në Istog nga Kryeministri. Ndërkohë, s’kemi as pasaporta e lëre më diçka më shumë.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa zgjodhi të reagonte me një fotografi.

“Kur s’punon, bën filma”, shkroi Mustafa, duke publikuar logon e Netflix, kompanisë së njohur amerikane të transmetimit.

Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, sot patën edhe konferenca për media.

Çitaku aty kërkoi shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin u raportua sërish për implikimin e tij në një aferë me mafian energjetike. Foli sërish për videon, që sipas saj “e shpërfaq karakterin e vërtetë të LVV-së dhe mungesën e rezultateve në qeverisje”.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha se partia në pushtet po merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje.

“Në sfidat që po kalojmë, partia në pushtet merret me propagandë në vend së të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Dje ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt, iu kthye zanatit të vet, si të vetmin mjet të artikulimit politik. Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikë përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse. Mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri i përjetojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. Në ekonomi – dështim.  Në shëndetësi – dështim. Në arsim – dështim”, tha Halimi, duke shtuar se “lista e dështimeve është e gjatë”.

Nga AAK-ja s’pati ndonjë reagim. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri vetëm tha se AAK-ja e ka udhëhequr Qeverinë për 16 muaj, duke u shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme “Aleanca do të ketë rezultatin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë”.

“Ajo që dua ta them tash, është që njerëzit kanë dashur ta shohin një gjeneratë të re, kanë dashur ta shohin Albin Kurtin, jo për shkak të programit të tij, sepse nuk ka program, jo për shkak të njerëzve të tij, sepse nuk ka ekip, jo për shkak se ndonjëherë ka bërë argat të madh për vendin. Por, për shkak se ishin të lodhur që 20 vite”, tha Tahiri në Tëvë1.

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar disa herë në takim përfaqësuesit e partive opozitare. Krerët e opozitës kishin dalur të pakënaqur nga takimi i fundit me kryeministrin, e të cilin shefi i Qeverisë e konsideroi “shumë të mirë”.

“Takimi ishte shumë i mirë. Ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë, me bashkëbisedim të hapur dhe serioz”, ishte shprehur Kurti.

Një ditë pas asaj videoje, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti iu uroi punë të mbarë ministrave, duke i bërë disa premtime e duke pranuar në njëfarë mënyre se nevojiten më shumë punë e rezultate.

“Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jenë minimumi i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le të vazhdojmë pra garën me veten, me bindjen se potenciali ynë është më i madh sesa aktualiteti”, tha ai.

Sipas kryeministrit, Qeveria e ka nisur mbarë këtë vit./Express/