Çitaku: Si është të jesh grua në Kosovë

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka ripostuar një shkrim, ku thotë se e bën me shkas.

Shkrimin e saj e fillon se si është të jesh grua në Kosovë,

Ajo thotë se kjo gjë nuk është e lehtë e sidomos të jesh grua në funksion të lartë publik, jo vetëm që nuk është e lehtë, por është ende e rrallë. 

Postimi i plotë:

Ripostim me shkas. Fatkeqësisht, ende aktual një reflektim i bërë para disa vitesh.

Vlora Çitaku: Të jesh grua

Unë i takoj pakicës fatlume. Të jesh grua në Kosovë nuk është shumë e lehtë. Të jesh grua në funksion të lartë publik, jo vetëm që nuk është e lehtë, por është ende e rrallë. E, të jesh grua, pa mbështetje, pa punë e pa të ardhura, mund të jetë edhe e rrezikshme.

Shpeshherë verbërohemi e besa edhe vetëkënaqemi me të dhënat dhe të arriturat sipërfaqësore. I përsërisim si recital disa të dhëna, që ndonëse janë hapa përpara, sërish nuk janë të mjaftueshme. Themi vazhdimisht që kemi kuotën prej 30% të grave në Parlament. Me plot krenari themi që jemi vendi që ka pasur presidenten e parë grua në Evropën Juglindore. Që kemi gra ministre e ambasadore në qendra të rëndësishme. Të arritura këto, padyshim. Por, nëse pak gërryejmë mbi sipërfaqen vezulluese, të dhënat janë shumë shqetësuese. Është dashur të kalojnë 15 vjet dhe të kemi një grua në krye të shtetit që shoqëria jonë të fillojë të flasë hapur për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo heshtje, prej më shumë se një dekade, nuk është bërë për t’i mbrojtur të mbijetuarat. Por për t’i mbrojtur burrat, nga ajo që ata e konsideronin zhburrnim të tyre. Plagët e grave nuk kishin rëndësi, por “krenaria” e burrave. Sa për referencë, kujtojeni debatin që e shoqëroi këtë temë në Parlamentin e Kosovës.

Tjetra, qasja në pronë dhe trashëgimi. Shifrat janë alarmante. Njëshifrore. Vajzat rrallë e hiç janë pjesë e trashëgimisë së prindërve. E kjo gjeneron një varg problemesh të tjera. Zvogëlon mundësinë për qasje në financa. Zvogëlon mundësinë për pavarësi ekonomike. Ndonëse infrastruktura ligjore edhe në këtë pikë është shumë e avancuar, norma tradicionale ngadhënjen mbi ligjin. Gratë vullnetshëm heqin dorë nga kjo e drejtë, për të ruajtur harmoninë familjare, që patjetër nënkupton që djali i merr të gjitha. Zaten, edhe populli e thotë: gruaja lind në shtëpi të huaj… sa e turpshme. Sa e papranueshme. Jo çdo gjë që është tradicionale është e mirë, jo çdo normë duhet ruajtur. Përkundrazi, evolucioni shoqëror implikon pikërisht të kundërtën. Nuk mund të ecet përpara pa e sfiduar status-quo-në.

Tjetra, dhuna në familje. E kjo, kjo është forma më e vrazhdë e shpërfaqjes së pabarazisë. Pasoja më e dhimbshme e një sistemi të etabluar, ku gruaja hesht, shkelet, rrihet, vritet. Të jem e sinqertë, edhe në shoqëritë më liberale e të përparuara, ka raste të dhunës ndaj gruas. Por, ajo që bën ndryshimin është si reagon shoqëria, si reagon shteti, si reagon drejtësia. Kam parë dhe kam dëgjuar me sytë e mi intervista të gjyqtarëve dhe prokurorëve, disa prej tyre edhe gra, që ishin të neveritshme, gati-gati arsyetonin dhunën ndaj grave. “Hajt se një shuplakë ta ka dhënë… nuk është ba nami… nuk shkatërrohet familja për një zënkë…”, ishin disa nga fjalët e atyre që kanë dhënë betim për të mbrojtur ligjin dhe dinjitetin njerëzor, të secilit prej nesh, edhe të grave. E turpshme.

Nuk po dua të tingëlloj nihiliste. Nuk jam nga ato që shohin vetëm zi. Por, në ditët si kjo, më shumë se të arriturat, ne si gra, si shoqëri, duhet t’ia kujtojmë vetes edhe sa shumë punë kemi përpara. Dhe, nuk po bëj thirrje për kryengritje kundër burrave. Larg asaj. Kjo betejë nuk fitohet me antagonizëm ndaj burrave. Kjo nuk është betejë kundër tyre. Kjo është betejë që duhet ta fitojmë bashkë me ta. Nuk mjafton t’i flasim njëra-tjetrës. Duhet të flasim më shumë me baballarët, vëllezërit, bashkëshortët dhe kolegët tanë. Personalisht, më bëhet zemra mal kur shoh që në Kosovë po rritet numri i feministëve burra. Kur shoh çdo ditë e më shumë burra që sfidojnë moralin e dyfishtë dhe normat e papranueshme që justifikojnë dhunën dhe pabarazinë gjinore.

Prapë po them, për një shoqëri në të cilën pas Luftës së Dytë Botërore, mbi 90% e popullatës nuk dinte shkrim-lexim; për një shoqëri që vazhdimisht ka qenë e shtypur dhe e përjashtuar; për këto pak vite shtet, përparimi është i dukshëm. Por, derisa të mbërrijmë ditën kur një grua, kudo qoftë ajo, në fshat apo në qytet, në politikë apo në biznes, të ndihet e barabartë me burrat në dhomë apo në zyrë, beteja nuk është e përfunduar.

E disa prej nesh, që kemi pasur fatin të lindim në një familje të caktuar, në një vend të caktuar, dhe për shkak të këtyre rrethanave, tërësisht jashtë kontrollit tonë, kemi arritur t’i realizojmë ambiciet tona, ne e kemi barrën më të madhe të përgjegjësisë që të punojmë për ato gra që nuk kanë pasur fatin tonë. Unë e di, që sigurisht është diku në Kosovë, një vajzë me emrin Vlorë, që është më e zgjuar se unë, më punëtore se unë, më e zonja se unë, po Vlora nuk ka pasur fatin tim. Ajo, për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të saj, nuk mund të ketë mundësitë që kam pasur unë.