Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk ka prodhuar asgjë, përveç miratimit të disa pikave formale të rendit të ditës.

Pikat e miratuara kanë të bëjnë me shpenzime financiare të Kuvendit, sipas Çitakut.

Ajo tha se Kryesia e Kuvendit nuk mund të trajtojë asnjë temë tjetër, përpos thirrjes së seancave për formimin e qeverisë.

“E vetmja temë e rendit të ditës të cilën mund të trajtojmë ne si Kryesi e re, është thirrja e seancës për formimin e qeverisë së re”, tha ajo.

Çitaku tha se Ligji dhe Kushtetuta nuk e mundësojnë procedimin nga qeveria në largim të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.

“Po na kërkohet të stimulojmë demokraci duke e shkelur Kushtetutën”, tha ajo. “Kënd e mbikëqyr këtë parlament. I njejti njëri që do ta sjellë Projektligjin për Buxhetin është edhe ministër, edhe deputet”.

“Nuk kemi qeveri dhe ligji është shumë i qartë. Mua po më befason kjo ndjenja e urgjencës që po e ka Lëvizja Vetëvendosje që t’i trajtojë këto tema tash, në prag të zgjedhjeve të reja”, tha Çitaku.

Çitaku tha se nesër liderët e subjekteve politike parlamentare do t’i bëjnë përfundimisht të ditura qëndrimet e tyre rreth hapave të mëtejshëm.