Një nga pikat kyçe të Interit gjatë këtyre dy sezoneve të fundit ka qenë padyshim Milan Skriniar.
Sllovaku me paraqitjet e tij ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mira të Evropës si Barcelona dhe Manchester United.
Në merkaton e verës, është përfolur se zikaltrit kanë refuzuar oferta deri në 60 milionë euro për lojtarin, ndërkohë që tani, për kartonin e tij nevojiten 70.
Në garë për mbrojtësin tashmë është futur dhe Chelsea. Skuadra londineze ka ndryshuar fytyrë pas ardhjes së Maurizio Sarrit këtë sezon, me italianin që dëshiron të marrë një futbollist të fortë dhe me perspektivë për prapavijën.
Përveç Rüdiger, mbrojtës si David Luiz e Cahill tashmë konsiderohen si veteranë, ndërkohë danezi Christensen nuk ka ofruar siguri në lojë, duke mos bindur shpesh me paraqitjet e tij.
Sllovaku 23-vjeçar cilësohet si një profil ideal për “Blutë” e Londrës dhe për ish-trajnerin e Napolit, me Skriniar që do të zgjidhte disa probleme në mbrojtjen e skuadrës.
Gjithashtu, ish-futbollisti i Sampdorias, pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2022, është në diskutime prej kohësh me Interin për rinovimin e saj, por pa gjetur akoma marrëveshjen.
Në këtë mënyrë, Chelsea do të kërkojë të përfitojë, dhe të afrojë në ekip një prej mbrojtësve më të shumëkërkuar të Evropës.







