Çfarë zbuloi studimi për gratë që lexojnë romane erotike

Nëse keni menduar se gratë lexojnë romane erotike si “Fifty Shades of Grey” për të përfituar emocione të reja që lidhen me jetën e tyre seksuale, e keni menduar gabim. Studiuesit në Gjermani kërkuan motivet pse gratë blejnë kaq shumë romane të tilla veçanërisht në 10 vitet e fundit.

Sondazhi i tyre me mbi më shumë se 400 lexuese femra të romaneve erotike zbuloi se zhanri në fjalë zakonisht konsiderohet ‘i emancipuar, feminist dhe progresiv’. Kjo ndodh realisht edhe pse shpesh librat tentojnë të promovojnë imazhin e ‘një gruaje përherë të re dhe të bukur’, e cila varet shumë nga burrat, pavarësisht talenteve të saj ose suksesit profesional.

Pjesëmarrësit e studimit ishin kryesisht të njohur me “Fifty Shades of Grey”, nga E.L. James, botuar në 2011. Studiuesit thonë se ka pasur një ‘rritje të vërtetë’ të romaneve erotike që nga viti 2011, përfshirë seritë e “Anna Todd” dhe romanet “Crossfire” nga Sylvia Day.

Sipas të dhënave të studimit, gratë që pëlqejnë të tilla romane kanë një marrëdhënie të qëndrueshme me partnerin e tyre, janë të plotësuara dhe të emancipuara lidhur me zgjedhjet që bëjnë në jetë.

Studiuesit mblodhën të dhëna duke përfshirë informacionin demografik, të tilla si mosha, niveli arsimor, profesioni dhe statusi i marrëdhënies, si dhe zakonet e leximit, duke përfshirë tendencat për të ndarë dhe diskutuar përvojat e leximit me të tjerët.

Shumica e të anketuarave ishin gra heteroseksuale në marrëdhënie të qëndrueshme me një nivel arsimi mbi mesataren.