Çfarë mund të thuash kur peshkopi ukrainas shtron këtë pyetje: “A na ka harruar Zoti”?

Nga: Jonathan Wittenberg (rabin në Sinagogën e re të Londrës Veriore) / The Guardian

Një udhëtim në Kiev, për solidaritet, dhe, pasi u ktheva – për të dëshmuar. Isha me një grup udhëheqësish fetarë. “Shumica e familjes sime u vranë në Babi Jar”, i dëgjuam atje anëtarët e komunitetit hebraik. “Kush e ka menduar se dy breza më vonë do të jemi përsëri në luftë”? Na treguan historitë e veta: tregime të traumës dhe të njerëzores. “Ndihmoj njerëzit e traumatizuar, shpëtoj kafshët e braktisura”, tha një banor. “Sirenat, veçanërisht gjatë natës, dëgjohen nga të gjithë ne”.

Edhe pse kohët e fundit bota shënoi përvjetorin e parë të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, si gjithçka tjetër në këtë konflikt kjo pikë e referencës nuk është krejtësisht e saktë. Lufta e agresionit të Vladimir Putinit nisi nëntë vjet më parë, me pushtimin e Krimesë. Tatarët e Krimesë janë grupi më i madh mysliman në Ukrainë, shpjegoi myftiu Sheikh Aider. Xhamive që nuk u bindeshin, rusët ua ndërprenë energjinë elektrike dhe ujin, merrnin gjurmët e gishtërinjve të besimtarëve, përdhosnin varret, torturuan liderët për ta nënshkruar marrëveshjen dhe i bënë martirë ata që rezistuan.

Është e qartë se kjo nuk është luftë vetëm për tokën e pasur, për brigjet detare dhe për pasurinë minerale të Ukrainës. Është luftë kundër lirisë, historisë dhe së vërtetës.

Pasi u lutëm së bashku – një imam, dy rabinë dhe katër udhëheqës të krishterë – pranë luginave të ngrira të Babi Jarit na i treguan copat e vogla të metalit, fragmentet e bombave ruse që marsin e kaluar vranë pesë njerëz këtu. Është sulmi i tretë në vendin ku ajnzacgrupet [Einsatzgruppen] e Hitlerit (shpeshherë të quajtura njësitet e lëvizshme të vrasjes) vranë dhjetëra mijëra hebrenj në vitin 1941 – duke u përpjekur që të fshehin krimet e veta – dhe ku sovjetikët më 1961 shkaktuan shkarjen shkatërrimtare të dheut përmes përmbytjeve të qëllimshme. Sulmi i fundit duket të jetë një nga sulmet e shumta të rusëve në vendet e identitetit fetar dhe kombëtar, dhe një pjesë e çuditshme dhe e çoroditur e gënjeshtrës se Ukraina dhe presidenti i saj janë nazistët e sotëm.

Në qytetin e vogël të Borodiankës jashtë Kievit, pranë Buçës dhe Irpinit ku janë kryer krimet e dokumentuara të luftës, pamë statujën e djegur të poetit Taras Shevchenko – përballë blloqeve të banesave të bombarduara. Shevchenko konsiderohet si themelues i letërsisë moderne ukrainase – por, mesa duket, ai, ashtu si dhe kombi i tij, nuk do të duhej të ekzistonte.

Sulmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës nuk është vetëm luftë e tiranisë kundër lirisë, por e mitit kundër të vërtetës. Çmimi i humbjes është çrrënjosja e kujtesës dhe identitetit, si dhe e kujtdo dhe çdo gjëje që nuk arrin të përputhet me narrativën e dëshiruar. Në Babi Jar dhe në Borodiankë ndjeva se isha dëshmitar i vazhdimësisë së çoroditur – në kohën e tanishme – të viteve 1930 dhe 1940: përpjekja e Stalinit për ta çuar popullin e Ukrainës drejtë zhdukjes duke i lënë që të vdesin nga uria, si dhe luftën vrastare të Himmlerit [Heinrich] për ta eliminuar popullsinë e saj dhe për ta kthyer atë në lebensraum për fermerët folksdojçerë [koloni për gjermanët e pastër].

Grupi ynë, i organizuar nga Evropa, nga Shoqata e Pacientëve – koalicion pan-evropian, jopartiak i udhëheqësve në ekonomi, në politikë, në kulturë dhe në religjion – takoi Sviatoslav Shevchukun, kreun e kishës ortodokse të Ukrainës. Si udhëheqës me besim dhe me guxim të thellë, ishte në listën e njerëzve që rusët planifikonin t’i vrisnin kur ta pushtojnë Kievin. “Në ditët pasi Rusia u tërhoq nga Buça, pashë kaq shumë njerëz të vdekur në rrugë, kaq shumë burra dhe gra nëpër varreza masive”. Kishte mbetur me një pyetje. “Pse isha ende gjallë?”, pyeti ai. “A na kishte harruar Zoti? Ku është feja në këtë luftë”?

Është pyetje sfiduese. Një ditë para sulmit rus, patriarku Kirill, kreu i kishës ortodokse ruse dhe aleat i Putinit, vendosi kurorë në varrin e ushtarit të panjohur në Kremlin, duke thënë se “ushtarakët tanë nuk duhet të kenë dyshime se për jetën e vet kanë zgjedhur rrugën krejtësisht të duhur”. Ndoshta Zoti i tij – si shumë prej atyre ushtarëve të dërguar pa mëshirë drejt vdekjes, në luftën që ata nuk e kuptojnë – është gjithashtu rekrut i bashkuar në një kauzë të pafe?

Përballë vuajtjes së tillë, çfarë mund t’i themi kryepeshkopit Shevchuk në Kiev, teksa ai e vuri në dyshim rolin e Zotit? Mund të mendoja vetëm për fjalët e rabinit të shekullit të XIII, Moses ben Nachman, që ishte mërgimtar si shumë ukrainas sot: “Perëndia i sheh lotët e të shtypurve, kushdo qofshin ata, dhe Ai qan me ta”. /Telegrafi/

Përkthimi: Agron Shala