Çfarë kuptimi kanë bluzat festive, pse duhet t’i keni të gjithë këtë fundvit

Këto javë, jo vetëm Instagrami, por edhe rrugët, edhe sheshet janë mbushur me bluza feste. Rregullimi i pemës, arredimi i shtëpisë me aksesorë dhe detaje festive janë gjithmonë të shoqëruar me pulovrat dhe bluzat karakteristeike të festës dhe me atmosferën që transmeton ajo.

Vitet e fundit edhe në Shqipëri është rritur tendenca, sidomos e të rinjve, për të veshur të ashtuquajturat “Ugly Christmass Jumper” ose më thjesht, ato pulovra që në periudha të tjera të vitit, jo vetëm që nuk do t’i vishnim, por do t’i cilësonim gati-gati të tmerrshme.

Po çfarë mesazhi përcjellin këto bluza të shëmtuara?

Karakteristika e tyre e përbashkët është se kanë motive festive dhe u ngjajnë pulovrave që dikur na punonin gjyshet me shtiza. Në fakt, ato që shiten rëndom janë 100 për qind akrilik. Në pjesën më të madhe të rasteve, i blejmë në internet dhe nuk e dimë nëse do të na vijë masa që porositëm, por ç’rëndësi ka kjo?

– Në fakt, sipas ekspertëve të veshjeve, këto lloj pulovrash, të gjithëve na kthejnë në fëmijëri, tek ajo periudhë e bukur e jetës, e cila ka mbetur te lodrat, tek atmosfera e gëzueshme dhe tek vatra e ngrohtë e familjes. Ndaj, kjo është një arsye më shumë për të qenë më pranë tyre, për t’i veshur, sado pak të bukura të jenë, dhe për t’u bërë njësh me atmosferën.

– Festat e fundvitit janë një periudhë në të cilën të gjithë ndihemi të gëzuar dhe të predispozuar për të qenë pozitivë. Kjo nënkupton edhe të qeshim me veten e të bëjmë autoironi, qoftë edhe përmes këtyre pulovrave me atmosfera festash.

– “Christmas Jumper” na pëlqejnë sepse na lejojnë që të kemi mbi vete imazhe që zakonisht i quajmë fëmijërore ose joserioze për t’u veshur në pjesën tjetër të vitit; përmes këtyre motiveve kemi mundësinë gjithashtu që të shprehim pasionet tona.

– “Christmas Jumper” janë një ‘strehë’, në të cilën pëlqejmë të rikthehemi, një vatër që na pret çdo fundvit për të na kujtuar se fëmija dhe fëmijëria është një “zonë e përjetshme” brenda unit tonë.