NATO

Çfarë do të thotë avancimi i statusit të Kosovës në NATO?

Kosova nga vëzhgues parlamentar është pranuar dje si shtet anëtar i asociuar nga Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ky po konsiderohet hap i rëndësishëm dhe niveli më i lartë para se Kosova të bëhet anëtare e plotë në strukturat e NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për KosovaPress deklaron se prezenca e rregullt e Kosovës në asamble do të mundësojë lobim më efektiv për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në NATO. Ndërkaq, ish-diplomatë thonë se anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me atë të Kosovës në NATO. Sipas tyre, Kosova nuk mund të flas për anëtarësim në këtë aleancë, përderisa kërkon trupa shtesë për mbrojtje të vendit nga agresioni serb.

Ministri Ejup Maqedonci deklaron se avancimi i statusit të Kosovës është arritje domethënëse dhe se parlamentarët tash e tutje do të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha seancat plenare.

“Avancimi i statusit të Republikës së Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar konsideroj qe është një arritje shumë domethënëse. Parlamentarët e Kosovës në Asamblenë e NATO-s tash e tutje mund të marrin pjesë në të gjitha seancat plenare, të jenë pjesë e komiteteve dhe nënkomiteteve, të japin propozime dhe komente si dhe të paraqesin rezoluta, pa të drejtë vote. Deri më tani Kosova ka qenë e kufizuar sa i përket këtyre aktiviteteve. Përveç kësaj prezenca e rregullt e Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të mundësoj lobim më efektiv te legjislativët e vendeve të NATO-s për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe informimin për sfidat dhe nevojat e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Maqedoncit për KosovaPress.

Vendim të rëndësishëm e konsideron edhe deputeti i VV-së Driton Hyseni, i cili thotë se deri më tani Kosova ka pasur status të delegacionit vëzhgues. Ndërkaq, siç shton ai, me vendimin e djeshëm, do të ketë ngritje të nivelit të delegacionit në kuadër të këtij institucioni.

“Si anëtar vëzhgues ne nuk kishim mundësi as në amendamentin e raporteve që asambleja i prodhon, komentime të ndryshme, nuk kishim mundësi që të merrnim pjesë në shumë prej komisioneve që janë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. E tash me zgjerim të delegacionit, me mundësinë e amendamentimit në të gjitha, themi edhe në rezoluta që propozohen edhe në dokumente tjera të cilat i prodhon asambleje ne do të kemi mundësi që të kemi rol shumë më aktiv dhe të drejtpërdrejt në të gjitha proceset të cilat janë të lidhura me punën dhe funksionimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Respektivisht qenia anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të thotë që je në nivelin më të lartë para se të bëhesh anëtar i plot në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s e që vie pas anëtarësimit të plot të vendit tonë në strukturat e NATO-s”, deklaron ai.

Tutje, kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së shton se hapi i djeshëm në avancimin e statusit të Kosovës, paraqet gatishmëri nga Asambleja Parlamentare e NATO-s që Kosovën ta ketë afër.

“Hapi i djeshëm i ndërmarrë nga Komisioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në avancimin e statusit të Kosovës, paraqet një gatishmëri të vet Asamblesë Parlamentare të NATO-s që Kosovën ta ketë më afër, të ketë një prezencë më të shtuar të deputetëve të Kuvendit të Kosovës brenda Asamblesë Parlamentare të NATO-s, por njëkohësisht tregon për një qasje pozitive sa i takon nevojës që në proceset tona integruese ne të mos kemi zhagitje në procese, por avancim. Është një hap i rëndësishëm, hapi final pritet të ndodhë kur vendi veç anëtarësohet në aleancën veri-atlantike”, shton deputeti Hyseni.

Ndërkaq, ish- ambasadori i Kosovës në Austri, Blerim Canaj thekson se ky vendim nuk nënkupton edhe anëtarësimin e plot të Kosovës në këtë aleancë.

“Kam vërejtur që po kuptohet sikur një hap drejt anëtarësimit në NATO. Këto janë dy gjëra të ndara, Asambleja Parlamentare e NATO-s është një mekanizëm civil i NATO-s dhe nuk ka të bëjë asgjë me shtabin e përgjithshëm. Nuk ka diçka që neve na çon drejt anëtarësimit në NATO, por thjesht është një zgjerim i ekipit dhe aty pastaj merren dhe shihen gjërat, për shembull merren me demokratizimin e vendeve, tema të tilla… Është mirë që është zgjeruar, ta shohim pastaj se çfarë ka Kosova prej saj. Tani po e dimë që jemi në një far problemi gjeopolitik, ku Kosovës i duhet më tepër partneriteti për paqe me NATO-n dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me atë”, deklaron ai.

Një gjë të tillë e thotë edhe ish-diplomatja, Mimoza Ahmetaj, e cila për KosovaPress thotë anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Për Kosovën anëtarësimi në secilën organizatë apo avancimi i pozicionit aktual është i rëndësisë së veçantë, dhe sidomos në këtë kohë kur Kosova në politikën e jashtme vetëm sa ka shënuar zbrapsje dhe degradim. Avancimi i statusit në anëtar të asociuar për Kosovën me tre anëtare dhe pa të drejtë vote, në këtë kohe kur lufta në Ukrainë e rrezikon edhe gjithë Evropën, është diçka e natyrshme. Anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO sepse ky është institucion civil i përberë nga anëtarët e parlamenteve të shteteve dhe institucion ushtarak dhe politik siç është NATO. Për më tepër në këtë organizatë anëtare e asociuar (sikurse Kosova) është edhe Serbia e cila i kundërvihet anëtarësimit në NATO. Kosova nuk mund të flas për anëtarësim ne NATO, përderisa ne i kemi ushtarët e NATO-s që e ruajnë sovranitetin e shtetit si dhe Qeveria jonë kërkon trupa shtesë për mbrojtje të vendit nga agresioni serb”, shprehet ajo në një përgjigje me shkrim.

Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 Maj në Sofje.

VIDEO BONUS: