Çfarё kuptimi kanё nё tё vёrtetё ёndrrat qё shihni?

“Përveçse të flemë mirë, ne kemi nevojë edhe të ëndërrojmë mirë”,- thotë Rubin Naiman, Ph. D., një asistent profesor klinik i Mjekësisë në Qendrën për Mjekësinë Integrative në Universitetin e Arizonës, në Tucson. “Njerëzit që nuk ëndërrojnë mirë, janë psikologjikisht të bllokuar dhe kjo gjendje mund të sjellë gjendje depresive dhe ankth në jetën e përditshme”.

Në shumë mënyra, gjumi në fazën e lëvizjes së shpejtë të syve (REM), kur shumica e ëndrrave ndodhin, është koha kryesore kur truri proceson kujtesën dhe gërmon në psiqikën tonë. Megjithëse lidhja nuk është kuptuar plotësisht, ëndërrimi është shumë i lidhur me shëndetin emocional.

Me strategjinë e duhur, ju mund të përfitoni nga ajo që ëndrrat mund t’ju ofrojnë dhe t’i përdorni ato për të përmirësuar performancën tuaj, për të zgjidhur problemet tuaja, etj.

Ja si mund të ndodhë kjo:

Ëndrrat ju ndihmojnë të punoni me ndjenjat

Konsiderojeni gjumin REM një sesion terapie falas. “Gjërat që nuk i procesojmë gjatë kohës kur jemi zgjuar, i procesojmë kur jemi në gjumë në fazën REM”,- thotë Naiman. Ai shton se dy e treta e popullsisë gjatë gjumit përjetojnë emocione negative, si frikë apo ankth. Kjo është diçka e shëndetshme, pasi nënkupton se ju tashmë jeni duke procesuar emocione apo ngjarje që i keni injoruar gjatë ditës.

Ëndërrimi për një person është një mënyrë e pandërgjegjshme për të përpunuar gjërat në trurin e tyre. Përveç pasjes së ëndrrave, të arrish t’i kujtosh, ato lidhet me një shëndet më të mirë mendor.

Përfitoni:
Për të kujtuar ëndrrat, blini një ditar dhe mbajeni në krah të krevatit. Kur të zgjoheni, mundohuni të kujtoni ëndrrën e fundit. Sapo të kujtoni detaje të saj, shkruajini. Brenda shtatë deri në dhjetë ditësh, ju duhet të filloni t’i mbani mend më mirë ëndrrat tuaja.

Mundet gjithashtu të konsultoheni me doktorin tuaj për të marrë vitamina B6: Një studim nga Universiteti “Adelaide” në Australi, zbuloi se njerëzit i mbanim mend më shumë ëndrrat e tyre nëse kishin marrë vitaminën 260 mg para gjumit.

Ëndrrat ju japin mundësi për të menduar dhe gjykuar jashtë kornizave

Njerëzit, shpesh kanë moment ndriçimi mendor kur janë përgjumësh. “Ёndrrat e hedhin logjikën tutje dhe na lejojnë të mendojmë jashtë kornizave, në vend që t’i kthehemi të ndjekim të njëjtën rrugë herë pas here pa sukses”,- thotë Deirdre Barret, Ph.D., asistent profesore e psikologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvard në Boston. Ajo ka folur me shumë atletë, të cilët kanë zbuluar mënyra për të përmirësuar performancën e tyre ndërkohë që kanë qenë shtritë dhe te pavetëdijshëm në krevatin e tyre. Siç ishte një lojtar tenisi, i cili ëndërroi në kuptimin e vërtetë të fjalës një mënyrë më të mirë për të kryer shërbimin.

Përfitoni:
Praktikoni inkubacionin e ëndrrave, të cilin e përshkruan Barret në librin e saj “Komiteti i Gjumit”. Para gjumit, shkruani problemin tuaj, vizualizojeni, dhe ndërkohë që shtriheni të flini, thuajini vetes duke mbyllur sytë se ju doni që ta zgjidhni këtë problem. Kur të zgjoheni, kaloni pak kohë duke menduar për ëndrrën tuaj. (Mbani një letër dhe një stilolaps pranë për ta pasur në rast se zgjoheni me një moment eureka.) Kur Barret u kërkoi studentëve të saj të zgjidhnin problemin e tyre personal në gjumë, rreth gjysma e tyre tregoi se kishin ëndërruar për problemin e tyre dhe shumica e tyre mendonin se ëndrrat që kishin parë, në fakt, u kishin prezantuar një zgjidhje.

Ëndrrat paralajmërojnë për probleme të mundshme me shëndetin

Episodet që ndodhin gjatë gjumit mund të nxjerrin në pah probleme të fshehura të shëndetit.

“Kur ëndërrojmë, marrim disa inpute sensoriale, të cilat i injorojmë gjatë ditës kur jemi të fokusuar në gjëra të tjera”,- thotë Barret.

Studiuesit kanë gjetur se shumë gra kanë parë në ëndërr kancerin e gjirit para se ato të diagnostikoheshin me të. Studimet tregojnë gjithashtu se çrregullimi idiopatik i fazës REM të gjumit (RBD), gjatë të cilës njerëzit kanë ëndrra të gjalla, intensive dhe të dhunshme, është një parashikues i hershëm i sëmundjeve si Parkinson apo demenca.

Një studim tjetër, i publikuar nga Mjekësia e Gjumit, ka zbuluar se njerëzit që vuajnë nga apnea, shpesh kanë makthe, u duket sikur mbyten. Këto makthe u zhdukën në 91% të pacientëve kur ata filluan të përdornin një aparat CPAP.

Megjithatë, ëndrrat nuk mund të parashikojnë të ardhmen. “Funksionojnë më shumë si një sistem paralajmërimi të hershëm, një mënyrë për t’u dalë para problemeve të mundshme, të cilat mund të verifikohen ose jo më pas, në jetën e ndërgjegjshme”,- thotë Kelly Bulkeley, Ph.D., drejtoreshë e Sleep and Dream Database.

Përfitoni:
Kuptimet e ëndrrave mund të jenë më shumë metaforike sesa të drejtpërdrejta në kuptimin e tyre. “Ndoshta do të të duhet të gërmosh pak më shumë se çfarë do të thotë për ty kanceri në ëndrrën tënde”,- thotë Naiman. “Kur ta bëni zakon tuajin që t’i jepni rëndësi kuptimit të ëndrrave tuaja, do të jeni të aftë që t’i kuptoni më mirë ato.” Do ishte me vlerë një vizitë tek doktori nëse vuani nga RBD apo nëse aventurat e natës ju kanë bërë të besoni se keni diçka që nuk shkon. Nëse ëndrrat tuaja po ju tregojnë se ka diçka që nuk shkon me shëndetin tuaj, mund të jetë koha që të lini një vizitë tek doktori.

Shëndeti optimal është një trekëndësh shendeti që përfshin fitnesin, ushqimin dhe gjumin. Furthermore and DUXIANA kanë bashkëpunuar për të sjellë një seri artikujsh që do ju ndihmojnë të vendosni në prioritetet e jetës suaj këtë trekëndësh dhe si rrjedhim të përmirësoni performancën tuaj.