Carvajal e cilëson të ndyrë sezonin e Real Madridit

Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, e ka pranuar se skuadra e tij ka qenë duke kaluar nëpër një sezon të keq, pas eliminimit të mbrëmshëm nga faza e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

“Los Blancos” e kishin fituar ndeshjen e parë me rezultat 1-2, mirëpo Ajaxi u tregua shumë i fortë për madrilenët në ndeshjen kthyese. Holandezët fituan në Santiago Bernabeu me rezultat 1-4.

Kjo disfatë erdhi pas dy disfatave në El Clasico, të cilat bënë që Real Madridi të eliminohet nga Kupa e Mbretit javën e kaluar dhe pastaj t’i humbë shpresat për titullin e La Ligës, pasi që mbeti 12 pikë larg katalonasve.

Pas disfatës të së mërkurës, Carvajal e pranoi se sezoni nuk kishte qenë aspak i mirë për gjigantët spanjollë, duke i lënë ata në një situatë në të cilën nuk kanë qenë asnjëherë më parë.

“Mendoj se asnjëherë më parë nuk e kam pasur një ndjenjë të tillë pa rehatie, nuk di as se si ta përshkruaj. Nuk është asnjëherë e lehtë të kthehesh pas dy disfatave kundër Barcelonës, sot ne deshëm të fitojmë”, ka thënë Carvajal

“Por, dy gabimet tona bënë që ne të ishim duke humbur 2:0. Fillimi i pjesës së parë ishte i miri, por goli i tretë na vrau. Nuk është fundi i një cikli, ne kemi një ekip të ri. Duhet të përballemi me këtë gjë dhe të mos fshihemi: E kemi pasur një sezon të ndyrë”.