Synime

Burim Ramadani: NATO është synimi ynë (FOTO)

Kosova ka arritur një sukses të madh gjatë vitit 2018. Miratimi i projekt-ligjeve që transformojnë FSK-në në Ushtri ka qenë një reflektim historik për Kosovën dhe një element shtesë i shtetësisë.

Ky lajm u prit me një entuziazëm të madh pasi që Ushtria ishte një temë që diskutohet që një kohë.

Përpjekje për ta themeluar atë kishin ekzistuar dhe më parë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahën publikisht të drejtën e Kosovës për të pasur një Ushtri, duke vazhduar me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, raporton Ballkani.info.

Zv-ministri i Ministrisë së Mbrotjes, Burim Ramadani ka mbajtur një fjalim në organizimin e fund-vitit nga kjo ministri.

Ramadani e quajti vitin 2018 si ‘Vitin e Ushtrisë’ duke aluduar në sukses historik. Poashtu ai tha se sfida jonë e ardhshme do të jetë pranimi i Kosovës në NATO si objektivë e viteve të ardhshme.

“Tash, anëtarësimi në NATO është synimi ynë. Unë pres dhe jam i bindur që Kosova do të jetë vendi i 31-të i NATO-s. Kjo mbetet puna jonë dhe sfida jonë për vitet e ardhshme”, tha ndër tjerash Ramadani.

Postimi i plotë:

Tash, anëtarësimi në NATO është synimi ynë.
Unë pres dhe jam i bindur që Kosova do të jetë vendi i 31-të i NATO-s. Kjo mbetet puna jonë dhe sfida jonë për vitet e ardhshme.
(Fjala ime e plotë në pritjen e organizuar sot në Ministri në përmbyllje të vitit 2018)
Të nderuar gazetare e gazetarë, përfaqësues të mediave,
Të nderuar kolege e kolegë,
Kam kënaqësinë që në emër të Ministrit z. Rrustem Berisha t’ju uroj për një vit me plotë angazhime, detyra, sfida e zhvillime të mëdha.
Kjo përmbyllje e vitit sigurisht se është me e veçantë dhe më e suksesshme. Për Ministrinë tonë, për Forcën tonë, për Kosovën. Për partnerët tanë, po ashtu.
Mandatimi ushtarak i Forcës sonë – Ushtrisë sonë – është një sukses që i tejkaloi sfidat, me përkushtim dhe shpeshherë edhe me kryeneçësi të argumentuar.
Vendime të këtilla, si miratimi i ligjeve më 14 dhjetor 2018, ndodhin një herë në jetën e një shteti.
Prandaj, është e qartë se ky vit mund të cilësohet edhe si Viti i Ushtrisë.
Tash në përmbyllje të vitit, e shoh se gjendja nuk ka qenë e lehtë në fillim të 2018. Por, kjo ka ndryshuar me plan e aktivitete të detajuara dhe me përkushtim të madh.
Njëkohësisht, përkrahja nga partnerët strategjikë ka qenë dhe mbetet e madhe. Kemi prezantuar arritjet e Forcës dhe planet e Kosovës në shumë kryeqytete të vendeve të NATOs. Kemi marrë mbështetje vazhdimisht.
Ne i jemi mirënjohës SHBA-së dhe vendeve partnere në NATO e në BE, vendeve të rajonit po ashtu, për mbështetje të plotë! I jemi mirënjohës KFOR-it dhe NALT-it për punën në Kosovë.
Tash, anëtarësimi në NATO është synimi ynë. Unë pres dhe jam i bindur që Kosova do të jetë vendi i 31-të i NATO-s. Kjo mbetet puna jonë dhe sfida jonë për vitet e ardhshme.
Të nderuar,
Më lejoni që edhe juve, gazetare e gazetarë, t’ju uroj krijimin e ushtrisë së re të Kosovës, sepse ajo është e gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime profesioni, gjinie apo etnie.
Për arritjen e këtij suksesi historik për shtetin tonë, dua që në emër të Ministrit Berisha t’ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë të deri tashëm secilin prej jush, për kontributin që keni dhënë në shpërndarjen, shfaqjen, prezantimin e aktiviteteve dhe sukseseve të FSK-së në publik.
Ne kujtojmë me respekt dhe përulje të gjithë kontribuesit për këtë sukses, të cilët nuk janë më në mesin tonë. Atdhetarët dhe profesionistët, dëshmorët dhe martirët që nuk kanë kursyer asgjë – as jetën e tyre – për suksesin e Kosovës!
Urime Vitin e Ri 2019! Gëzuar!