Portieri veteran

Buffon i pëlqen metodat e Tuchelit

Portieri i Paris Saint Germain është i mahnitur me qetësinë që ka trajneri i parisienëve, Thomas Tuchel.

Buffon e ka lavdëruar qetësinë e punës që e ka Tuchel në krahasim me natyrën e ashpër të trajnerëve me të cilët ka punuar në Itali.

40 vjeçari i dha fund epokës së tij te Juventusi me kalimin te PSG gjatë verës së kaluar, ndërsa gjatë kësaj periudhe punoi me trajnerë si Capello, Conte dhe Allegri, me këta dy të fundi fitoi 7 Scudetto radhazi.

Por Buffon tashmë që po e shijon eksperiencën e tij të parë jashtë vendit, e ka theksuar aftësinë e Tuchel për t’i kuptuar futbollistët e tij.

“Tuchel transmeton empati dhe qetësi të jashtëzakonshme, jo si disa në Itali që e përgatitin ndeshjen si në laboratore nukleare. Ai ka mundur të ketë dyshime për një portier 40 vjeçar por bisedoi dhe kuptoi teksa tash po e menaxhon situatën shkëlqyeshëm”, deklaroi Buffon për La Gazzeta dello Sport.

Paris Saint Germain ende nuk ka lëshuar pikë në Ligue 1 nën drejtimin e Thomas Tuchel, me gjermanin që bën vazhdimisht rotacion në portën e kampionëve të Francës, duke zgjedhur herë Buffonin e herë Areolan.