Britania bën thirrje për themelimin e Asociacionit

Britania e Madhe ka bërë thirrje për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “pa vonesa të mëtutjeshme”.

Në përgjigjen që shefi i misionit i Britanisë së Madhe në Organizatën e për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neill Holland, ka dhënë ndaj raportit të OSBE-së për Serbinë, është kërkuar lirimi i menjëhershëm i policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe, të ndalen veprimet e njëanshme e që të shpallen zgjedhjet sa më shpejt që të jetë e mundshme.

“Britania bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve kosovarë të ndaluar më 14 qershor. Duhet përmbajtje nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, të evitohen veprimet e njëanshme dhe të merren hapat të menjëhershëm drejt shtensionimit. Ne i ripërsërisim thirrjet për Qeverinë e Kosovës që të përkujdeset që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat nga lokacione alternative, dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga objektet e komunave. Zgjedhje të reja, gjithëpërfshirëse, duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur – në të cilën ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë. Ne presim që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet të punohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen e Neill Hollandit, kreu i delegacionit të Britanisë në OSCE.

Britania ka vënë theksin edhe te liria e munguar e mediave dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët në Serbi.