Brazili e nis me fitore Kupën e Amerikës

Brazili e ka mposhtur Bolivinë me rezultat 3:0, në ndeshjen hapëse të Kupës së Amerikës, e cila u zhvillua në “Morumbi” të Sao Paulos, në prani të 46 mijë e 342 shikuesve.

Nikoqiri i turneut, Brazili, vend në të cilin po mbahet Kupa e Amerikës për herë të parë pas vitit 1989, u paraqit me fanella të bardha dhe kjo ndodhi pas më shumë se 60 vjetëve.

Në 45 minutat e parë nuk pati gola dhe ishte një ndeshje e zbehtë, kurse me të nisur pjesa e dytë, brenda tre minutave, Coutinho shënoi dy herë.

Së pari nga penalltia në minutën e 50-të, e ku u desh edhe intervenimi i sistemit VAR.

Kurse, pas tre minutave, mesfushori i Barcelonës e dyfishoi epërsinë.

Golin e tretë e realizoi talenti brazilian, Everton Soares, i cili hyri në lojë në minutën e 81-të dhe shënoi në të 85-n.

Ndeshjen e dytë në kuadër të grupit A, Brazili e luan ndaj Venezuelës.