Boksi Lewandowski-Coman, zbulohet arsyeja e konfliktit

Robert Lewandowski dhe Kingsley Coman u grindën keq në stërvitjen e paradites të enjten, duke shkuar deri aty sa të përdornin grushtet, para se t’i ndanin Sule dhe Boateng.

Dy yjet e Bayernit nuk janë pezulluar apo gjobitur nga klubi, pasi trajneri Niko Kovac shpjegoi sot se të dy futbollistët kërkuan falje dhe e kuptuan gabimin.

Megjithatë, sipas Bild sherri nuk ishte impuls momenti, por një mëri e akumuluar për muaj të tërë.

Sipas revistës gjermane, Lewandowski nuk e duron dot francezin, i cili e tepron me fintet e tij dhe hedh shumë pak krose në zonë për sulmuesit e Bayernit. Përveç kësaj, Coman akuzohet nga polaku se ia pason shumë rrallë topin.

Pikërisht ky inat i grumbulluar shpërtheu të enjten, ku mjaftoi pak që të niste grushti. Në këtë pikë, duket qartë se në verë njëri prej dy sherrxhinjve do të duhet të largohet.