Boca Juniors interesohet për Ibrahimovicin

Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojv në Amerikën e Jugut, pasi interesim për shërbimet e tij ka shprehur ekipi i njohur Boca Juniors.

Lajmi është bërë i ditur të martën nga e përditshmja spanjolle “Marca” që ka cituar drejtuesit e ekipit argjentinas, të cilët tashmë ka konfirmuar negociatat me Ibran.

Ky i fundit, te Boca mund të transferohet në fund të këtij viti kur edhe i skadon kontrata me LA Galaxy, ekip të cilit iu bashkua në mars të vitit të shkuar.

“Është e vërtetë se kemi biseduar me Ibrahimovicin dhe ai ka shprehur interesim të luajë për Bocan. Ne kemi mundësi ta transferojmë atë”, ka thënë zyrtari i Bocas, Jorge Anro.

Ibrahimovic 37-vjeçar, këtë edicion po shkëlqen në MLS, pasi ka shënuar 29 gola në 27 ndeshje të luajtura.

Ai karrierë ka bërë edhe te Manchester Unitedi, PSG-ja, Milani, Barcelona, Interi, Juventusi, Ajaxi e Malmo.

loading…