Bie numri i nxënësve në shkollat e vendit

Nga viti shkollor 2008-2009 deri në vitin shkollor 2019-2020, numri i nxënësve ka rënë për 26 për qind, apo për 114,323 nxënës. Në bazë të të dhënave për 19 komuna, janë 340 klasa që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se 10 nxënës.

Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP, me temën “Shkolla të tepërta? Ristrukturimi i rrjetit të institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”, ku është kërkuar që sa më parë të bëhet studimi i detajuar për riorganizimin e shkollave me pak nxënës, ashtu siç parashihet në memorandumin e nënshkruar me Komunën e Kamenicës.

Nga 19 komuna ku është dhënë një pasqyrë sa i përket trendeve në arsimin parauniversitar, si numri i nxënësve, numri i personelit arsimor dhe relacioni nxënës-mësimdhënës.

Hulumtuesi i lartë në Instutin GAP, Bekim Salihu ka folur edhe për vendimin e Komunës së Kamenicës për mbylljen e disa shkollave fillore, që sipas tij për herë te parë ka ngjallur debat në publik.

“Në vitin 2015 deri në vitin 2020 janë investuar mbi 100 milionë euro për ndërtimin e shkollave. Ndërkaq i gjithë ky investim është bërë pa një studim paraprak, se ky ndërtim i shkollave si të ndikojë. 1094 institucione parauniversitare ekzistojnë në krejt Kosovën. Shqetësuese është fakti që nga 19 komuna që i kemi marrë si target studimi, 340 klasë kanë më pak se pesë nxënës”, ka theksuar ai.

Komuna me rënien më të madhe të numrit të nxënësve, është ajo e Kamenicës me më pak se 44 për qind.

Drejtoresha e Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MASHT, Shqipe Bruçi shtoi se rënia e numrit të nxënësve është e koncentruar më shumë në zona rurale.

“Komunat kanë bërë zvogëlim të paraleleve bazuar në numrin e nxënësve. Komunat nuk është që nuk e kanë praktikuar. Në vitin 2018-2019 kanë qenë 332 paralele të ndara. Është problem të zvogëlohet numri i stafit. MASHTI ka informatat se edhe cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies nuk është e nivelit të duhur të proporcionit nxënës-mësimdhënës”, ka theksuar ajo.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili së fundmi kishte marrë vendim për mbylljen e disa objekteve shkollore, ka treguar se në bazë të disa analizave kanë qenë shtatë shkolla qe kanë pasur më pak se 5 nxënës.

“Mbi 50 për qind e shkollave kanë pasur më pak se 70 nxënës. Ne është dashur që të marrim veprime, buxheti për investime kapitale ka qenë 124 mijë euro, për arsim vetëm 30 mijë euro. Për neve sfida më e madhe ka qenë transporti. 300 mijë euro i kushton komunës. Ne kemi vendosur që deri në 70 për qind të pagës, mësimdhënësve t’iu japim për 10 vitet e ardhshme”, ka theksuar Kastrati.

Në këtë raport thuhet se dokumentet strategjike të MASHTI-t, si Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe strategjia e sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniversitar 2016-2020 nuk e trajtojnë fare problemin e rënies së numrit të nxënësve, shkollat dhe klasat me pak nxënës. Po ashtu as uljen e proporcionit nxënës-mësimdhënës.