Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar sot se drejtimi politik dhe ekonomik i Kosovës do të përcaktohet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votim.

Tahiri u shpreh se vendi ndodhet në një pikë të rëndësishme, ku, sipas tij, duhet të rikthehet normaliteti politik e ekonomik dhe të tejkalohet “bllokada dhe izolimi” në të cilin gjendet Kosova.

“Është në dorën tuaj ta rikthejmë normalitetin politik dhe ekonomik në vend, ta nxjerrim Kosovën nga bllokada, prej izolimit dhe ta vendosim në rrugën e integrimit euro-atlantik,” tha ai.

Sipas Tahirit, institucionet e ardhshme duhet ta bëjnë Kosovën “vend të sigurt për të jetuar në mirëqenie e me dinjitet”, gjë që, siç theksoi, arrihet përmes zgjedhjes së njerëzve që janë dëshmuar se punojnë për vendin.

Ai theksoi se katër javët e ardhshme do të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë vendi.