Krerët e Listës Serbe kanë vendosur që sot, në ora 12:00 të mbajnë një protestë, siç kanë thënë ata, “të madhe” të serbëve në veri të Mitrovicës për shkak të taksës prej 100 për qind që e ka vendosur Qeveria e Kosovës në produktet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

Ballkani.info ka kontaktuar me Zëvendëskomandantin e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, për të mësuar më shumë lidhur me situatën në veri, por ai ka thënë se gjendja në veri është e qetë.

“Situata është e qetë dhe protesta është paralajmëruar e qetë”, ka thënë Hoti për Ballkani.info.

Burime brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se nga Prishtina do të nisen forca të shtuara të policisë, por kjo është mohuar nga Hoti.

“Policia në Mitrovivcë ka njësi të duhura që të kontrollojë mbarëvajtjen”, ka përfunduar Hoti./Ballkani.info/