Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, vizitoi familjen e gjeneralit Lahi Brahimaj në Jabllanicën së bashku me ish kryeministrin Ramush Haradinaj e shumë bashkëluftëtarë te tjerë. Jashari gjatë kësaj vizite kujtoi heroinen Aze Brahimaj e cila luftoi me armikun bashkë me UÇK-në.

Ky është postimi i plotë i Jasharit:

Në Shqiponjën e heroizmave, qëndresës dhe krenarisë, isha i nderuar me mikpritjen e familjes Brahimaj, ku sot me ftesë të ish kryeministrit Haradinaj, bashkë me mikun tim Ramiz Lladrovci e të ftuar tjerë kaluam kohë së bashku.

Në këtë fshat të pamposhtur, ndër çerdhet e para të UÇK-së në Kosovë, më së miri shihet vlera e lirisë.

Shqiponja ishte fshat që me barrikada dhe rezistencë, ndaloi hyrjen e forcave serbe nga viti 1993, për të mbetur fshat i pamposhtur deri në ditën e çlirimit më 17 maj 1999. Shqiponja ishte e pamposhtur falë përkushtimit atdhetar të tërë fshatit që atdheut ia fali 33 dëshmorë.

Këtu, në Shqiponjë, u strehuan, qëndruan dhe pushuan shumë heronj të kombit. Këtu e kanë burimin edhe shumë plane të sulmeve e rezistencës kundër forcave serbe në Dukagjin e më gjerë. Këtu ndjeva mallin dhe vrullin që ua dha Komandanti legjendar Adem Jashari si dhe kujtimet krenare për atë kohë të lavdishme.

Me veteranët e UÇK-së kujtuam së bashku, me nderim të thellë, Nënën Azë, e cila ishte nënë e trimave të UÇK-së, të cilët në vijat e para  të frontit luftonin me armikun, si dhe priste e përcillte qindra ushtarë me armatim, deri në çlirim.

Faleminderit për mikpritjen, ishte ditë e paharrueshme!