Kryetari

Bekim Jashari: Kështu e dua Skenderajn

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka deklaruar se Skenderajn e donë me hapje të fabrikave, të zhvilluar, me zbutje të papunësisë e varfërisë dhe investime në sektorin privat.

Ai së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, sot ka vizituar fabrikën e firmës ADIFIX, ku do të prodhohet materiali për ndërtime më i kërkuar në treg, ai i stiroporit.

“Fabrikat si ajo e firmës ADIFIX, por jo vetëm, e cila po ndërtohet aktualisht, e që në muajin mars të vitit të ardhshëm pritet të fillojë prodhimin e EPS Stiroporit, mund ta bëjnë Skenderajn të zhvilluar ekonomikisht e të përparuar. Iu urova fillim të mbarë përfaqësueseve të firmës për investimin milionësh në ngritjen e kësaj fabrike, në të cilën do të punësohen së paku 20 punëtorë, që me të ardhurat që do të sigurojnë nga puna në fabrikë, do të mbajnë familjet”, ka shkruar ai në Facebook, duke shtuar se Komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen e tij, do të ofrojë mbështetje në të gjitha aspektet, lehtësira dhe përfitime të tjera, për secilin investitor, qoftë i huaj apo vendor.