BE pajtohet për sanksionet e reja ndaj Rusisë: Kundërpërgjigje e fortë ndaj Putinit

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për raundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë pas aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës, njoftoi presidenca çeke.

“Ambasadorët tani kanë arritur pajtim politik për sanksione të reja kundër Rusisë – kjo është kundërpërgjigja e fortë evropiane ndaj aneksimit të paligjshëm rus të territorit ukrainas”, u shpreh presidenca çeke e BE-së në Twitter.

Gjatë ditës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i propozoi Parlamentit Evropian që të kufizojë çmimit e gazit për prodhim të energjisë dhe avokoi sistem prokurimi të gazit në BE.

Gjithashtu ajo paralajmëroi se është e domosdoshme për të ruajtur infrastrukturën energjetike evropiane. “Sabotatzhi i tubacionit të gazit Nord Stream tregoi se sa e cenueshme është infrastruktura jonë energjetike”.

“[…] Duhet të jemi më të përgatitur, të kryejmë teste qëndrueshmëri në infrastrukturën kyçe, të përdorim satelitë për monitorimin dhe detektimin e kërcënimeve të mundshme”, raporton gazeta online Reporteri.net.

Në këtë debat, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, lajmëroi se Këshilli duhet të arrijë pajtueshmëri rreth sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

Varësia energjetike ka ndikuar politikën e jashtme në raport me Rusinë, ka thënë Borell.

“Në gusht të vitit kaluar, kemi importuar 12 miliard metra kub gaz, këtë vit vetëm 4 – tri herë më pak”, theksoi Josep Borell.