Bashkimi Evropian e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Serbisë për të lejuar hyrjen e veturave me targat e Republikës së Kosovës në territorin e saj, duke e quajtur këtë si një hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve.

Këtë e ka thënë të martën zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, duke shtuar se pret që edhe Kosova të përgjigjet me veprime pozitive.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, por edhe obligimeve të mëhershme nga procesi i dialogut që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm”, ka thënë ai.

Stano ka shtuar se ky po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mundësojë që përfitues të jenë qytetarët e rajonit.

“Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse në targa. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Bashkimi Evropian në disa raste ka kërkuar që mospajtimet rreth targave të mos përdoren për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht kjo çështje kishte shkaktuar disa herë trazira dhe vendosje të barrikadave në veri të Kosovës kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke. Tash në BE besojnë se me këtë vendim është arritur një zgjidhje e përhershme e këtij problem.

BONUS VIDEO: Kur Albin Kurti tallej me qytetarët për çmimin e ultë të rrymës dhe paralajmëronte shtrenjtim