Bayerni refuzon pjesëmarrjen në Superligë

Kampioni në fuqi i Bundesligës, Bayern Munichu ka një qëndrim të qartë në lidhje me çështjen e Superligës Evropiane.

Skuadra bavareze e ka refuzuar pjesëmarrjen në Superligë dhe këtë e kanë konfirmuar edhe drejtuesit e klubit, Herbert Hainer e Karl-Rummenigge.

“Anëtarët e klubit dhe tifozët e refuzojnë Superligën. Si Bayern, është dëshira dhe synimi jonë që klubet evropiane të përjetojnë garën fantastike siç është Liga e Kampionëve dhe së bashku të zhvillohen me UEFA-n. Bayerni i thotë jo Superligës”, ka thënë Hainer.

Ndërkohë, Rummenigge e ka përforcuar qëndrimin e Hainerit.

“Në emër të bordit, unë do të doja ta bëja të qartë se FC Bayerni nuk do të marrë pjesë në Superligë. FC Bayerni solidarizohet me Bundesligën. Gjithmonë ka qenë dhe është një kënaqësi e madhe për ne që kemi mundësi të luajmë dhe përfaqësojmë Gjermaninë në Ligën e Kampionëve. Të gjithë e kujtojmë me kënaqësi fitoren tonë në Ligën e Kampionëve në vitin 2020 në Lisbonë. Për FC Bayernin, Liga e Kampionëve është kompeticioni më i mirë për klube në botë”.