Bayerni gjen zëvendësuesin e Lewandowskit

Bayern Munich po përpiqet të nënshkruajë me Max Kruse, lojtarin e Werder Bremen, të cilin e shikon si alternativë të yllit të sulmit të vet, Robert Lewandowski.

Media gjermane, “Sport1”, thotë se bavarezët e kanë mbikqyrur prej disa kohësh lojtarin në fjalë dhe do të kërkojnë ta blejnë kësaj vere.

Puna për rindërtimin e ekipit nga “Allianz Arena” do të fillojë menjëherë, pas finales së Kupës së Gjermanisë, të shtunën, kundër RB Leipzig. Të paktën kështu bëri me dije presidenti Uli Hoeness, pas festës së fitimit të titullit të shtatë radhazi në Bundesliga.

Po kush është Max Kruse? 31-vjeçari pritet të largohet nga Werder Bremen si lojtar i lirë, pasi i mbaron kontrata.

Në sezonin që po mbyllet, ish ndërkombëtari gjerman u takua 11 herë me golin dhe asistoi në dhjetë gola të tjerë. Përveç kësaj, kapiteni i Werder Bremen është kthyer në lojtarin kryesor të bardhëjeshilëve, në vitet e fundit.

Megjithatë, Bayerni e di: Kruse nuk është një qendërsulmues (pykë) tipik, por më tepër një sulmues i dytë, ose “playmaker”.