Bayerni e hap sezonin e ri të Bundesligës sonte

Kampioni në fuqi i Bundesligës, Bayern Munichu, do ta nisë sonte në orën 20:30 sezonin e ri të kësaj lige me ndeshjen kundër Hertha Berlinit në “Allianz Arena”.

Sezoni 2019/20 i Bundesligës nis zyrtarisht të premten (sonte), kur Bayern Munichu e pret Hertha Berlinin për ndeshjen e parë të xhiros së parë.

Bayerni e ka fituar titullin e ligës për shtatë sezonet e fundit dhe ai hyn edhe në sezonin e ri si favorit, pasi që sezonin e kaluar triumfoi kundër Borussia Dortmundit. Ndërkohë, Hertha ishte në mes të tabelës dhe shpreson se sërish do ta sigurojë ekzistencën në Bundesligë.

Disa analistë të futbollit presin që Bayerni të gabojë në disa raste gjatë këtij sezoni dhe ta humbë garën me Dortmundin për titullin e ligës.

Megjithatë, skuadra e Niko Kovacit së fundi e shtoi Ivan Perisicin në skuadër dhe mbrojtja e mirë përforcohet edhe më shumë nga kthimi i Manuel Neuer në formën e tij më të mirë.

Në anën tjetër, skuadra e Hertha Berlinit ka qenë një kundërshtar mjaft interesant i Bayernit. Nga pesë takimet e fundit mes tyre, tri kanë qenë barazime dhe të dyja skuadrat e kanë fituar nga një.

loading…