Rob Bauer, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, tha se Kosova dhe Bosnje-Hercegovinë janë shembuj praktikë të bashkëpunimit dhe përkushtimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe liderët rajonalë duhet të japin kontributin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Ne nuk jemi të vetmit që duhet të bëjmë diçka në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë liderët politikë duhet të jenë përgjegjës për vendet e tyre. Nuk mjafton të ulesh dhe të presësh që BE-ja dhe NATO-ja të bëjnë diçka për Ballkanin Perëndimor. Vetë liderët e këtyre vendeve luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë”, u shpreh admirali amerikan.

Ai theksoi se gjithnjë e më shumë po diskutohet nëse numri i forcave ushtarake në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) është i mjaftueshëm, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit të kaluar që dëshmuan se paqja në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë, ndërsa paralajmëroi se numri i personelit ushtarak në KFOR mund të rritet varësisht rrethanave.

“Tani po diskutohet nëse numri i forcave në KFOR është i mjaftueshëm dhe nëse është e nevojshme, atëherë do të diskutojmë dhe nëse duhet t’i shtojmë, pas vendimit do ta bëjmë. Pra, është e gjitha pjesë e asaj që bëjmë në baza ditore. Ne vlerësojmë çdo mision, çdo vit bëhet një vlerësim se si po ecën misioni dhe nëse është e nevojshme, ne e ndryshojmë”.

VIDEO BONUS: Sveçla: Dje ne Zveçan e sot në Dragash jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Kosovës