Bashkë kundër hidrocentraleve

Për më gjatë se katër vjet, banorët e Komunës së Shtërpcës janë duke kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhat e lumenjve të kësaj komune.

Qytetarë shqiptarë e serbë kanë organizuar dhjetëra protesta duke kundërshtuar dëmtimin e lumenjve.

Përveç se dëmton ekosistemin, futja e rrjedhës së lumenjve nëpër gypa, sipas njërit prej organizatorëve të protestave, Radojica Mërgjinac, rrezikon që banorët t’i lë pa ujë të pijes.

“Katastrofën e ekologjike e kanë shkaktuar sepse e kanë shkatërruar gjithë botën ujore të kafshëve, në pikat ku tashmë i kanë lëshuar hidrocentralet në Lepenc. Kjo është katastrofë dhe është për çdo dënim. Unë nuk mund të kuptoj se si ata njerëz nuk janë proceduar dhe nuk janë arrestuar. Ky është turp i madh për shtetin dhe për pushtetin ekzekutiv që nuk po i zbaton vendimet e veta dhe të arrestojë një bandë të tillë”, tha Mërgjinac.

Institucionet komunale nuk kanë nxjerrë asnjë vendim të ri, përpos vendimit të vitit 2016, kur ishte urdhëruar ndërprerja e punimeve në hidrocentrale.

Por, tani edhe në pjesët më të mëdha të lumit Lepenc, në rrjedhën që shtrihet përgjatë Komunës së Shtërpcës janë vendosur gypat. Megjithatë, punimet janë bllokuar në afërsi të fshatit Biti e Poshtme.

Aty, banorët nuk po lejojnë vazhdimin e punimeve.

loading…