Bartomeu: Messi është vetë Barcelona
Josep Maria Bartomeu duhet të ndihet me fat që është në krye të një klubi gjigant si Barcelona në epokën e Messit.
Detyra më e rëndësishme e tij është pa dyshim të mbajë përjetësisht të lidhur me ngjyrat “blaugrana” lojtarin ndoshta më të mirë të të gjitha kohërave.
Në një intervistë për ESPN, numri 1 i klubit katalan deklaroi shpreson dhe po punon që Messi të ketë një karrierë sa më të gjatë te Barça, që të apasionuarit e futbollit të vazhdojnë të magjepsen nga magjitë e tij.
“Ne duam që të ketë një karrierë vërtet të gjatë, në mënyrë që të vazhdojmë ta shijojmë magjinë e tij. Leo ka thyer kufijtë, të gjithë e admirojnë, duartrokitet edhe nga tifozët rivalë. Dëshirojmë të rinovojmë me të, kjo është ideja. Messi është i ri, këtë mund ta shihni në paraqitjet që bën në fushë. Ka ende edhe dy vite në marrëveshjen e tanishme, por po shkojmë drejt rinovimit. Në muajt e ardhshëm do të ulemi e të diskutojmë, në mënyrë që të luajë edhe shumë vite të tjera në Barcelonë.”
Messi, sipas Bartomeut, është i pazëvendësueshëm jo vetëm për atë që jep në fushën e blertë. Ai identifikohet me klubin e Barcelonës.
“Messi është vetë klubi, është më shumë se ajo që bën në fushë. Marrëdhëniet e tij me Barçën do të zgjasin përgjithmonë, ai e ndryshoi krejtësisht qasjen e Barcelonës në aspektin e rezultateve. Me të kemi fituar garat më të mira, vijojmë ta bëjmë këtë çdo sezon.
Por edhe mrekullitë nuk zgjasin përgjithmonë. Bartomeu theksoi se te Barça duhet të jenë të përgatitur edhe për tërheqjen e Messit.
“Messi e njeh mirë trupin e tij dhe e vendos vetë ditën kur duhet të largohet. Le të jemi të përgatitur për të ardhmen, por Leo Messi është udhëheqësi ynë, është lojtari më i mirë në botën e futbollit. Po luan në mënyrë fantastike, por e dimë se nuk do të jetë përgjithmonë në fushë. Ndoshta për tri, katër, ose pesë vite, ai do të thotë: OK, po ndalem së luajturi futboll”.