Barcelona ofron Malcom plus para për Rashford

Barcelona prej kohësh ka ndjekur situatën e Marcus Rashford te Manchester United, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni.

Sulmuesi ka opsion për ta zgjatur edhe për një sezon, por deri tani kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për termat ekonomik mes tyre.

Për këtë në Angli kohë më parë raportuan se Barcelona ishte e gatshme të ofronte 116 milionë euro për të marrë shërbimet e 21-vjeçarit.

Rashford është ndjekur me kujdes në dy përballjet që skuadrat patën në Champions League.

Sot, “Mundo Deportivo” ka zbuluar se klubi katalanas po përgatit një ofertë ndryshe për United që të lërë të lirë të shkojë sulmuesi anglez në Spanjë.

Sipas gazetës spanjolle, Barcelona do të ofrojë Malcom që të marrë shërbimet e Rashford, natyrisht do të duhet të paguajë edhe një shumë të majme përveç sulmuesit brazilian, kartoni i të cilit vlerësohet në 50 milionë euro.

Për Malcom interes të fortë kohët e fundit ka treguar Milani, por klubi italian do e ketë të vështirë të ofrojë një shifër të tillë për 21-vjeçarin që nuk është përshtatur me futbollin e Barcelonës.