Ish sulmuesi

Barcelona e mohon rikthimin e Neymarit

Barcelona i ka mohuar spekulimet që e lidhin Neymarin me një rikthim te katalanasit.

Zëvendës presidenti i Barcelonës, Jordi Cardoner ka thënë se nuk është mbajtur asnjë takim lidhur me ritransferimin e Neymarit te kampionët e La Ligas.

Mediat në Spanjë kanë raportuar gjatë javës se klubi blaugrana është e interesuar për ta blerë kartonin e sulmuesit brazilian nga Paris Saint Germain, pas vetëm 14 muajve që u transferua në kryeqytetin francez për shumën rekord 222 milionë euro.

Neymar gjatë kohës së kaluar te Barcelona formoi një treshe sulmi të frikshme së bashku me Lionel Messin dhe Luis Suarezin që i dërgoi deri te triumfi në La Liga dhe Champions League.

Megjithatë, Zëvendës presidenti i Barcelonës ka insistuar se një gjë e tillë për momentin nuk është në agjendën e tyre.

“Bordi drejtues i Barcelonës nuk e ka konsideruar si mundësi rikthimin e Neymarit. Është një pyetje që nuk ka përgjigje për shkak se askush nuk e ka përmendur një gjë të tillë. Ai ishte që zgjodhi të largohej, do të ishte ndryshe sikur ne të mos besonim në të dhe tani të dëshironim ta rikthenim, por ky nuk është rast i tillë”, tha Cardoner.

Neymar në këtë fillim sezoni ka shënuar 8 gola në 8 paraqitje me PSG-në në Ligue 1.