bashkëpunimi

Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në veçanti në fushën e financave dhe portofolion e Kosovës me Bankën Botërore.

Me këtë rast, ministri Hamza e informoi Muller për zhvillimet pozitive në Kosovë me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe financave, për trendin e të hyrave, deficitin, borxhin publik, për përgatitjen e buxhetit për vitin 2019, si dhe për investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe në çështjet sociale.

Ai gjithashtu e njoftoi zëvendëspresidentin Muller për performancën e marrëveshjeve të deritanishme të Kosovës që ka me Bankën Botërore, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Me këtë rast, ministri Hamza shprehi gatishmërinë e Kosovës për të arritur marrëveshje edhe për projekte të reja me Bankën Botërore , të cilat do ta ndihmonin zhvillimin e sektorit privat.

Ndërsa Muller u shpreh se Banka Botërore është e gatshme t’i përgjigjet kërkesave të Kosovës për mbështetje të mëtutjeshme në fushat e identifikuara me theks të veçantë, në zhvillimin e kapitalit njerëzorë në Kosovë.