Bamieh: Specialja është Gjykatë etnike

Ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh, në një intervistë ekskluzive për “RTK Prime”, ka folur shkurtimisht edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

“Unë këtë gjykatë e quaj etnike, këndvështrimet e mia janë ligjore, nuk janë politike. Pikëpamjet e mia do t’i diskutojë në një kohë më të vonshme”, tha ish-prokurorja e EULEX-it.

Ajo tha se EULEX ka pranuar 1400 lëndë nga OKB dhe janë marrë për trajtim  të rasteve  vetëm  disa prej tyre.

“400 raste i kanë marrë prokurorët lokalë, ku janë rastet e tjera, a janë nën tepih, ku janë ato raste?”, tha ajo.

Bamieh ka kritikuar punën e EULEX-it duke marrë parasysh se ka shpenzuar shumë mjete.

Bamieh: Kosova duhet të krijojë sistem të mirë gjyqësor

Ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh, në një intervistë ekskluzive për “RTK Prime”,  tha se Kosova duhet të përparojë dhe të krijojë sistem të mirë gjyqësor.

“Është mirë që Kosova të mos ketë interferenca dhe pengesa, por nga BE-ja, të keni sistem të mirë gjyqësor, polici të mirë etj”, tha ajo.

Bamieh: EULEX më ka shkelur të gjitha të drejtat njerëzore

( E plotësuar, ora 21:05) Ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bameh, në një intervistë ekskluzive për “RTK Prime”, ka folur edhe për atë se si kanë shkuar hetimet në EULEX.

 Sipas saj, ka raste kur materialet janë marrë edhe në shtëpitë private nga hetues të EULEX-it.

“Nuk kam pasur asgjë të keqe, as kundër askujt, as kundër z.Tolaj. Po bëja vetëm punën time. Unë kam ardhur këtu për të bërë një punë të mirë”, tha ajo.

Bamieh vlerësoi se ende ka shumë padrejtësi dhe për këtë BE duhet të shikojë se çka ka ndodhur me të,  si  dhe me Simons. 

Për kredibilitetin e EULEX-it, Bamieh tha se ai mision ka funksionuar keq sepse EULEX nuk i përcjell standardet.

“Në rastin tim dhe të Malcolmit të drejtat njerëzore janë thyer, e janë shkelur”, tha ajo.

Bamieh: EULEX më suspendoi pa asnjë arsye

Ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh,në një intervistë ekskluzive për “RTK Prime”, ka folur për punën që ajo bëri në misionin e EULEX-it në Kosovë, betejën e saj me qeverinë britanike, por edhe për tema të tjera. Ajo ka fituar rastin me Qeverinë Britanike gjatë kohës sa kishte shërbyer në EULEX.

Brenda këtij misioni në Kosovë ajo kishte sinjalizuar për korrupsionin në EULEX dhe për këtë shkak thotë i ishte shkëputur kontrata dhe suspenduar nga puna.

Beteja e saj ligjore ka zgjatur me vite të tëra dhe tani ajo dhe ekzekutivi britanik kanë arritur një marrëveshje e cila kap vlerën e gjysmë milioni euro.

Ajo ka treguar për sfidat nëpër të cilat ka kaluar deri te ky epilog. Sipas saj, procesi që alarmoi për korrupsionin në misionin e EULEX-it, ka qenë një proces i gjatë  dhe i vështirë, financiarisht dhe nga aspekti shëndetësor i lodhshëm.

“Nuk kam mundur që të ndalem për të gjetur indikacione mbi atë çka ka ndodhur ndaj meje dhe vet jam munduar që ta gjejë gjënë e duhur në atë kohë”, tha ajo për RTK-në.

Ajo ka folur për procesin  ndaj saj. “Si bëhet që unë hetohesha dhe askush nuk e hetonte as zonjën Novotna e as gjykatësin për akuzat e mia serioze me dëshmi të mjaftueshme. Kështu që unë thashë se ata janë të korruptuar”, theksoi ish prokurorja e EULEX-it.

Tutje ajo ka deklaruar se nuk ka pritur që procesi i saj të zgjasë tërë këto vite dhe siç ka thënë nuk ka pritur që EULEX-i t’i bëjë atë çka i ka bërë asaj. Për suspendimin e saj nga puna ajo tha se asnjë arsye nuk  i ishte dhënë për suspendim.

“Kolegëve iu është thënë të mos flasin me mua. Kisha dy zyrtarë të sigurimit që më përcillnin në zyrë për t’i larguar gjërat e mia nga zyra. Ata përcaktuan se çka mund të marrë  dhe çka jo. Më pas jam larguar në parking ku i kanë larguar të gjitha nga makina ime . Ka qenë një ndër përvojat më të vështira në jetën time”, theksoi ajo.

 Kujtojmë se intervista është zhvilluar dje nga gazetarja e emisionit Prime, Fitore Rexhepi, pra një ditë para se prokurorja Bamieh të flasë në konferencë për media dhe të ftohet nga prokuroria për intervistim.