Bale do të mbetet te Real Madridi

Gareth Bale do të qëndrojë te Real Madridi, pasi Zinedine Zidane ka bërë një kthim dramatik.

Vetëm pak javë pasi kishte tentuar të shtynte uellsianin drejt largimit nga Bernabeu, Zidane e aktivizoi Balen nga fillimi të shtunën në xhiron e parë të La Ligas, në fitoren 1-3 ndaj Celta Vigos.

Zidane kishte qenë i vendosur ta largonte Balen në verë. Ai kishte pranuar se është më mirë për të gjithë nëse Bale largohet.

Bale 30-vjeçar kishte qenë pranë transferimit në Kinë, por në momentin e fundit Reali kishte vendosur të mos e lironte uellsianin pa dëmshpërblim, shkruan “The Sun”. Zidane ka konfirmuar tash se Bale nuk do të largohet në verë, ndonëse afati kalimtar është ende hapur në shumë vende nëpër Evropë.

“Ai do të qëndrojë. Ne duhet të përqendrohemi në këtë stinor dhe asgjë tjetër. Lëndimi i Eden Hazardit është fat i keq për ne, por nuk ka ndryshuar idenë që kemi pasur për Balen në këtë ndeshje. Gareth, James Rodriguez dhe të gjithë lojtarët këtu do të mbrojnë këtë fanellë”, ka thënë Zidane.

Bale ishte titullar befasues në ndeshjen ndaj Celta Vigos, pasi që Hazard ka munguar shkaku i lëndimit.

“Një fillim i madh i stinorit. #HalaMadrid”, shkroi Bale në Twitter pas ndeshjes.

Bale e Vinicius Junior u aktivizuan në krah për të përkrahur qendërsulmuesin Karim Benzema. Bale asistoi golin e parë të Realit, duke pasuar për Benzeman.

Luka Modric u përjashtua herët në pjesën e dytë pas një ndërhyrjeje të ashpër, ndërsa goli i bukur i Toni Kroosit dhe goli pas një aksioni të rrjedhshëm që u shënua nga Lucas Vazquez ngriti epërsinë e Realit në 0-3. Iker Losada shënoi golin e vetëm për Celtan.

Real Madridi ka marrë një epërsi të hershme ndaj Barcelonës në luftë për titull në La Liga. Barcelona të premten, në ndeshjen e parë të La Ligas spanjolle, pësoi humbje shokuese 1-0 në udhëtim ndaj Athletic Bilbaos.

loading…