Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguar deputetit të VV-së, Fitim Uka, i cili tha se gjendja e vështirë në arsim është si rezultat i keqmenaxhimit të qeverive të kaluara.

Bajrami tha se çdo meritë dhe kritikë ndaj saj për kohën sa ka qenë ministre e arsimit shkon edhe për qeverinë “Kurti 1”.

Ajo madje tha se si shkak i VV-së, vendi tash e sa kohë ka mbetur edhe pa liberalizim të vizave.

“Sa i përket kritikave për arsimin unë asgjë nuk e marr personale. Unë marrë edhe kritika dhe merita aq sa merr edhe qeveria “Kurti 1”, sepse në kohën sa kam qenë unë në MSH, e kam pasur kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave nga VV-ja, Besnik Bislimi. Por dua t’i them deputetit Uka se nuk pajtohem me të gjitha konstatimet e tij. Nuk është që VV-ja nuk ka pasur ndikim në zhvillimet e 15-20 viteve të fundit. Ua përkujtojë vetëm nëntorin e vitit 2015. Në atë kohë isha pjesë e qeverisë. Derisa punoja ditë e natë për të tërhequr investime të huaja dhe për të heq kompanitë private që kontrollonin naftën, protestuesit e VV-së kanë thyer 12 vetura dhe krejt xhamat e objekteve. Jeni deputetë të gazit lotsjellës. Jeni partia që sot e sa vjet e keni lënë vendin pa liberalizim të vizave”, ka thënë ajo.