Bajrami: Adresimi i Ramës në Këshillin e Evropës hap pozitiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot pritet t’i drejtohet Këshillit të Evropës, me qëllim të rishikimit të rezolutës së saj që u miratua pas raportit të Dick Martit.

Hapat e ndërmarra nga Shqipëria janë shumë pozitivë në dekonspirimin e raportit të Martit, vlerëson akademik Arsim Bajrami.

Sipas tij, edhe nëse miratohet propozim rezoluta e Shqipërisë në KE, ndalja e punës së Gjykatës Speciale është e vështirë të ndodhë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot pritet t’i drejtohet Këshillit të Evropës, kundër raportit të Dick Martit, në lidhje me akuzat për trafikim organesh e pretendime të tjera të përmendura në raportin e miratuar nga Këshilli i Evropës. Kundër raportit të Martit, e me qëllim të rishikimit të Rezolutës së Këshillit të Evropës, Parlamenti i Shqipërisë, në muajin korrik, unanimisht miratoi një rezolutë me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimi organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Hapat e ndërmarra nga Shqipëria, dhe adresimi i kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës, janë shumë pozitivë që të hapet debati dhe të dekonspirohet raporti i Dick Martit, që ishte bazë për themelimin e Gjykatës Speciale, thotë për Radio Kosovën akademik Arsim Bajrami.

“Realisht nuk do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në përfundimin e procesit që po zhvillohet në të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara. Por, pa dyshim, politikisht do të mundë të bie poshtë komplet komploti që u është bërë edhe udhëheqësve të lartë shtetërorë dhe politikë, por edhe Kosovës, duke ngritur akuza të pa baza që kanë pasur një prapavijë ruse dhe serbe, me qëllim të denigrimit të shtetit të Kosovës dhe luftës së drejtë të UÇK-së, në mënyrë që jo vetëm të rishkruhet historia por edhe të amnistojnë Serbinë për krimet dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë”, tha ai.

Edhe në rast të miratimit në Këshillin e Evropës të rezolutës së propozuar nga Shqipëria, me të cilën kërkohet nga KE që të rishikohet rezoluta e saj që u bë bazë për themelimin e Gjykatës Speciale, ndalja e punës së kësaj gjykate është e vështirë, thotë Bajrami.

Është vështirë tash që me një vendim politik të Këshillit të Evropës apo një organi tjetër të ndërpritet fushëveprimi i Dhomave të Specializuara. Mendoj që ky proces nuk do të mundë të ndalet me asnjë veprim politik. Por është shumë me rëndësi që procesi që po zhvillohet atje të jetë një proces me standarde ndërkombëtare, që të respektohen konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni penal i Kosovës, në mënyrë që të evitohen padrejtësitë dhe shkeljet materiale dhe procedurale ndaj të akuzuarve”, tha ai.

Tutje, profesor Bajrami thotë se Shqipëria po e bënë punën që është dashtë të bëjë Kuvendi i Kosovës, i cili sipas tij, është dashtë të miratojë një rezolutë me të cilën kërkon nga Gjykata Speciale që të realizojë drejt misionin e saj duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës si dhe konventat evropiane për të drejtat e njeriut.