Baerbock: Tabelat ilegale serbe të veturave e minojnë sovranitetin e Kosovës

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference me homologen Donika Gervalla-Schwarz në Berlin, theksoi se qeveria gjermane është e angazhuar dhe po e ndihmon Kosovën dhe Serbinë në zgjidhjen konkrete të problemeve, siç janë tabelat e makinave dhe furnizimi me energji në veri.

“Qeveria gjermane ia ka bërë të qartë Serbisë se në fund të procesit të dialogut, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi kjo është kusht për integrimin e Serbisë në BE”, theksoi ministrja e Jashtme Gjermane, Baerbock.

Ajo theksoi se qeveria gjermane e ka vendosur Ballkanin dhe Kosovën në epiqendër të interesimit të saj. Përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore është i domosdoshëm dhe Gjermania është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve konkrete siç është problemi i tabelave të makinave dhe furnizimi me energji ne veri.

“Për mua është e qartë se 9 mijë tabela serbe në automjetet të cilat qarkullojnë në Kosovë, që nga Koha e Millosheviqit, minojnë sovranitetin e vendit tuaj. Qytetarët serbë duhet të ndërrojnë tabelat dhe qeveria gjermane ia ka bërë të qartë qeverisë së Serbisë se kjo temë dhe ajo e energjisë në veri, duhet të rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të arritura, në mënyrë që në fund të procesit të dialogut, Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Baerbock ka folur edhe për liberalizmin e vizave:

“Për mua, si ministre e Jashtme e Gjermanisë, liberalizimi i vizave për Kosovën ka prioritetin më të lartë. Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tani është detyrë e BE-së të mbajë fjalën. Kjo temë prandaj është sot në tavolinën e takimit të  ministrave të BE-së dhe më nuk do të lejojmë që të ketë shtyrje”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla-Shwarc, ka falënderuar homologen saj për ndihmën dhe përkushtimin që qeveria gjermane po bën ndaj Kosovës, ndërsa ka theksuar se “normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke”. /rtklive