Avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetiq ka reaguar pas raportimit të Nacionales gjatë ditës së hënë se krerët e Speciales u takuan me diplomatë. Sipas Avokatit është shqetësuese ky takim, pasi Gjykata Speciale me ligj, nuk i jep llogari atyre. Madje sipas avokatit fatkeqsisht kjo gjykatë si jep llogari askujt.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (“KSC”) Gjykata Speciale është një institucion i Republikës së Kosovës që nuk i jep llogari publikisht askujt apo ndaj ndonjë institucioni për punën e tyre, gjë që mund të konsiderohet shkelje e normave të Këshillit të Evropës.

Nacionale raportoi dje se presidentja dhe kryeprokurori i KSC-së janë takuar fshehurazi me diplomatë të vendeve donatore për t’u raportuar atyre, përfshirë diskutime rreth komenteve të Richardgrenell.

Le ta përsëris Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk e autorizon KSC-në që të raportojë tek shtetet tjera, e aq më pak ta bëjë këtë në mënyrë të fshehtë.” – ka shkruar ai.

Tutje avokati i Thaçit ka kërkuar që Këshilli i Evropes të reagojë, pasi vet Specialja u krijua duke u thirrur në një raport të Këshillit të Evropës.

“Përkundrazi, ajo raporton në takime të fshehta me vendet donatore, të cilat nuk janë transparente, nuk janë të hapura për publikun e Kosovës dhe mbahen pa autorizim nga ligji i Kosovës.

Është ironike që KSC-ja, një institucion i themeluar si rezultat i një raporti të Këshillit të Evropës (Raporti Marty), shkel normat e Këshillit të Evropës për mungesën e llogaridhënies ndaj institucioneve të Kosovës apo shoqërisë së Kosovës.

Kjo mungesë e llogaridhënies kërkon veprim nga KSC-ja, nga institucionet e Kosovës dhe nga Këshilli i Evropës.”- shkroi ai.

Tutje ai shkroi edhe për mungesën e llogaridhënies të kësaj gjykate sa i përket institucioneve të Kosovës, e shoqërisë kosovare në përgjithësi, çka sipas tij paraqet problem.