Avokati i Sabit Gecit: Kosnett të mos përzihet në punët e drejtësisë, t’i konsultojë më shumë ligjet

I dënuari të cilit i është pezulluar dënimi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe i cili e ka bërë ambasadorin të reagojë, është Sabit Geci.

Avokati i Sabit Gecit, Haxhi Millaku, ka thënë për Gazetën Express se ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett si duket nuk e njeh mirë anën juridike, duke kërkuar nga ai që të mos përzihet në çështje ligjore.

“Kur thuhet rasti “Kukësi” aty kanë qenë të akuzuar 6-7 persona, në qoftë se është apostrofu si fenomen apo dukuri çështja e Ambasadorit me Ministrin, unë e këshilloj Ambasadorin me shumë respekt që ta konsultojë ligjin pastaj të japë deklarata të aspektit ligjor e juridik”, thotë Millaku.

Millaku thotë se e respekton anën diplomatike të ambasadorit Kosnett, mirëpo thekson se pa marrë parasysh kontributin e tij në Kosovë, ai nuk ka të drejtë të inkuadrohet në çështje për të cilat nuk ka njohuri të mjaftueshme.

“Anën diplomatike, përfaqësimin e shtetit amerikan ne e respektojmë, ne jemi të vetëdijshëm për kontributin e tij, por kjo nuk do të thotë edhe zotshpillakun me ta marrë dikush edhe pse është ambasador. Prandaj me shumë respekt, për çështje juridike le ta konsultojë ligjin, sidomos ligjin e posaçëm për sanksionet penale dhe mundësinë e pezullimit, sepse diku përmend lirim diku pezullim, pra le të konsultohet me zyrën ligjore nëse e ka dikë e mos të japë deklarata blanko. Është mirë me ja kallxu vendin gjithkujt, pa marrë parasysh, me shumë respekt por le të përmbahet pak”, thotë Millaku.

Millaku thotë se do të ishte mirë që Kosnett të merret edhe me krimet e Serbisë në Kosovë, në rastin “Reçaku”, ku janë vrarë 84 persona dhe të akuzuarit janë dënuar me 8 vjet burgim.

“Pse nuk e bëri të njëjtën për rastin “Reçaku”, vrasjen e 84 personave është liru për 8 vjet, grupi i Kuksit është dënu me 15 vjet, e tash sipas tij s’po bëjka as me u shëru, po u dashka me vdekë në burg. S’ka serb n’Kosovë për krime të luftës që janë të vërtetume, e që i ka mbajtë më shumë se 7 vjet burg, le të merret me ato pak”, thekson Millaku.

E këto komente të Millakut vijnë pasi Kosnett kishte shkruar një status në profilin e tij në Twitter, ku kishte thënë se Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka nënshkruar lirimin e një të dënuari për krime lufte, të dënuar me 15 vjet në rastin “Kukësi”.

“Ministri i Drejtësisë nënshkroi lirimin e një të dënuari për krime lufte, i dënuar me 15 vjet burgim në rastin e Kukësit, i cili ka vuajtur dënimin më pak se 12 muaj në 3 vitet e kaluara. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen” kishte shkruar Kosnett.

Pas këtij shkrimi ka reaguar Tahiri, duke thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit asnjë person.

“Dëshiroj të sqaroj opinionin e gjerë, ambasadorin Kosnett dhe mediat e respektuara se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person”, ka thënë Tahiri.

Pas reagimit të Tahirit, Kosnett kishte shkruar prapë duke thënë se në versionin origjinal thuhet se Ministria e Drejtësisë e ka nënshkruar lirimin.

Kosnett e ka përmirësuar edhe shkrimin e tij të parë në Twitter, duke dhënë sqarimin se Gjykata e Apelit e ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë për ta liruar një kriminel lufte të dënuar me 15 vjet burgim.

“Sqarim: Gjykata e Apelit ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë për të liruar një kriminel luftë të dënuar me 15 vjet burgim në Rastin e Kukësit, ai ka mbajtur më pak se 12 muaj burgim në 3 vjetët e kaluar. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen”, thuhet në postimin e Kosnett.

Ndërkaq Sabit Geci ishte dënuar nga Gjykata Supreme e Kosovës me 15 vite burgim për vrasje dhe keqtrajtim të të burgosurve në Kukës dhe Cahan gjatë viteve të luftës 1998-1999.

Ai ishte liruar disa herë nga burgu me vendim të Ministrisë së Drejtësisë me arsyetimin se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë.

Geci ishte liruar në vitin 2015, e lirimi i tij atëherë në periudhë tre mujore ishte bërë me të njëjtën arsye, gjendja shëndetësore e tij.

Pas 3 muajve liri, Sabit Geci, ishte kthyer përsëri për ta vuajtur dënimin e tij. Pas kësaj, në 16 shkurt 2017, ministrja e Drejtësisë së asaj kohe, Dhurata Hoxha, e kishte liruar Gecin deri më 16 prill me qëllim të trajtimit adekuat mjekësor.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit i kishte konfirmuar lirimin prej gjashtë muajsh Sabit Gecit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai kishte dalë nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë.

Sipas aktvendimit, Sabit Geci ka pasur të lajmërohet në mbajtje të dënimit në Dubravë më 2 maj 2019. Më 13 maj ai ishte vetë-dorëzuar në shërbimin korrektues, pasi Policia e Kosovës kishte marrë urdhrin për arrestimin e tij.

Ndërkohë, telashe me ambasadorët ka pasur nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj. Në një moment Haradinaj e kishte quajtur ish- ambasadorin amerikan në Kosovë Greg Delawie “palaqo”