Avni Dehari: Të dalin para drejtësisë vrasësit e djalit tonë

Pasi vendosën kurora lulesh te murali për Astrit Deharin, familjarët e ish-aktivistit të Vetëvendosjes kanë folur para mediave. I pranishëm ka qenë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Babai i Astrit Deharit, Avniu, ka folur në emër të familjes Dehari, duke thënë se me ardhjen e raportit të ekspertizës nga Lozana, konstatimi se Astriti është vrarë ka marrë fund.

“Që nga 5 nëntori i vitit 2016 deri pak ditë më parë, organet shtetërore, përfaqësuesit e drejtësisë, pushtetarët kriminelë kanë bërë përpjekje të na mbushin neve si familje dhe qytetarëve të Kosovës se Astriti është vetëvrarë në burgun e Prizrenit. Me ardhjen e raportit konstatimi se Astriti është vrarë ka marrë fund, tash janë të shtrënguar ta pranojnë edhe ata që deri tani e kanë pasur gojën plot për vetëvrasje”, ka thënë Avni Dehari.

Avniu ka thënë se beteja e radhës është ajo e vënies para drejtësisë së autorëve të vrasjes së djalit të tij.

“Tash hapet faza e dytë e betejës, për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e djalit tonë”, ka thënë Avni Dehari.

loading…