Avancimet e dyshimta në Shërbimin Korrektues| Nga gardian në zëvendësdrejtor brenda vitit

Për më pak se 10 muaj, Besar Gashi, dikur gardian tash njëri nga udhëheqësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, është avancuar disa herë. Fillimisht nga pozita e gardianit ishte emëruar zv/drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, për të kulmuar krejt në fund duke marrë një nga pozitat më të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës, zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për Siguri dhe Operativë.

Viti i fundit ka qenë mjaft i suksesshëm për Besar Gashin. Zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës është avancuar për disa herë me radhë brenda pak muajve, duke marrë tashmë një nga funksionet më të rëndësishme operative në SHKK.

Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka siguruar vendimet për avancimin e Gashit nëpër pozita të ndryshme, për të kulmuar te ajo që e ushtron nga janari i vitit 2023: zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për siguri dhe operativë në SHKK.

Besar Gashi deri së voni ushtronte detyrën e gardianit. Nga pozita e gardianit, me dilema të forta për shkeljen e Udhëzimit Administrativ për gradat korrektuese, Gashi ishte emëruar zv/drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Në një konkurs ku kishin të drejtë të aplikonin vetëm nëpunës civilë nga kategoria e njëjtë.

Pra, nga grada e zyrtarit korrektues, Gashi ishte avancuar në pozitën mbikëqyrës i lartë. Sipas këtij udhëzimi administrativ, për të kaluar në gradën e Mbikëqyrësit 2 duhen së paku tri vite përvojë pune si zyrtar korrektues. Për gradën Mbikëqyrës 3, duhen së paku 5 vite përvojë si zyrtar korrektues, apo tri vite përvojë si mbikëqyrës.

Avancimet për Gashin nuk u ndalën. Në fakt vetëm se u shtuan. Krejt kjo sidomos pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Disa muaj pasi Besar Gashi u emërua zëvendës drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ai u avancua sërish. Në muajin korrik të vitit të kaluar, Besar Gashi u emërua zëvendësues i Udhëheqësit të Drejtoratit për operativë, siguri dhe transportin e të burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Lajmet e mira për Besar Gashin erdhën edhe qysh në start të vitit 2023. Ai me një vendim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u emërua në një nga funksionet më të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Gashi u emërua zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për Siguri dhe Operativë në SHKK.

Nacionale ka mësuar se kjo pozitë ka ndikim tejet të madh në funksionimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, pasi Gashi nga kjo pozitë e krijon planin operativ të Shërbimit Korrektues në lidhje me çështjet operative të funksionimit brenda komplet burgjeve në nivel vendi.

Sipas Udhëzimit Administrativ, për gradime të ndryshme brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, themelohet Komisioni përgjegjës me vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Ky Komision merret me procedurat e testimit, intervistat me gojë dhe krejt në fund edhe me përzgjedhjen e kandidatëve.

May be an image of 2 people and people standing

Megjithatë, në rastin e Gashit krejt këto avancime, po arsyetohen se janë bërë me detyra të përkohshme.

Arsyetohet SHKK dhe MD

Ministria e Drejtësisë në një përgjigje ka bërë të ditur se në avancimin e fundit të Gashit me vendim të nënshkruar nga ministrja Haxhiu, nuk është marrë parasysh Udhëzimi Administrativ në fjalë. Kjo pasi sipas tyre, udhëzimi nuk e rregullon avancimin në pozita të larta drejtuese.

“Procedura e rekrutimit për pozitën zëvendës drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren është zhvilluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për zyrtarët publik si dhe Rregulloren (QRK) nr. 16/2020 për pranimin dhe karrierën në shërbimin civil të Republikës së Kosovës. Sipas ligjit Nr. 06/l – 114 për Zyrtarët Publik, pozita e zëvendësdrejtorit në një Agjencie Ekzekutive është pozitë e nivelit të Lartë Drejtues”, thuhet fillimisht në përgjigje.

“Sipas Ligjit Nr. 08/l-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës, procedura për përzgjedhjen e zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm bëhet përshtatshmërisht sipas kritereve për emërime në pozita të larta drejtuese, andaj në kuptim të saj Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues nuk ka kompetencë Ligjore për të caktuar/emëruar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm. Vendim për caktimin e z. Besar Gashit në pozitën zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm është vendim i përkohshëm me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në Institucionet Korrektuese. Procedura e rekrutimit për pozitat e larta Drejtuese në rastin konkret pritet të zhvillohet nga Departamenti për Menaxhimin e zyrtarëve Publik-MPB”, përfundon sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë.

Edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka arsyetuar këto avancime i ka arsyetuar me faktin se janë lëvizje nëpër pozicione të përkohshme.

“Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues për shkak të nevojave institucionale z,Besar Gashin e ka caktuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Drejtoratit për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve, duke marr parasysh angazhimin e tij dhe performance e treguar për ngritjen e nivelit të sigurisë në institucionet korrektuese, Ministrja e Drejtësisë me Vendim e ka caktuar z. Gashin në pozitën Zëvendsues i Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Siguri. Lëvizjet në pozicione të përkohshme të punës nuk konsiderohen gradim dhe janë vendime të përkohshme dhe të nevojshme për shkak të natyrës dhe specifikave të punës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.