Austria planifikon t’i rihapë dyqanet nga java e ardhshme përkundër covid-19

Qeveria austriake ka planifikuar t’i rihapë dyqanet duke filluar nga java e ardhshme si hap fillestar për lehtësimin e izolimit. Zyrtarët thanë se vendi është duke e bërë një kthesë, ndonëse kërkoi nga qytetarët të përdorin më shumë maska.

Vendi i Evropës Qendrore u vendos në karantinë të gjerë para tri javësh. Shkollat, restorantet, teatrot dhe dyqanet e produkteve joelementare u mbyllën. Nga njerëzit është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të punojnë nga shtëpia, nëse kanë mundësi.

Karantina ka ndikuar që të kufizohet rritja e infektimeve dhe numri i personave të shtrirë në spital është stabilizuar. Kancelari Sebastian Kurz tha se masat e hershme ia kanë vlejtur. Deri më tani, në Austri janë regjistruar 220 të vdekur nga koronavirusi.

“Ne reaguam më shpejt dhe më prerazi se vendet e tjera dhe prandaj mundëm ta shmangim më të keqen. Por ky reagim i shpejtë dhe i prerë tash na jep gjithashtu përgjegjësi për të dalë më shpejt nga kjo krizë”, tha Kurz gjatë një konference për gazetarë.

Megjithatë, ai shtoi se plani i tij është provues dhe do të zbatohet vetëm nëse të gjithë vazhdojnë t’i respektojnë masat e karantinës dhe nëse qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër virusit, siç kanë bërë deri më tani.

Sipas këtij plani, së pari do të hapen dyqanet e produkteve joelementare që kanë më pak se 400 metra katrorë, ndërsa më vonë të gjitha dyqanet, qendrat tregtare dhe sallonet e floktarëve.

Sidoqoftë, brenda dyqaneve do të lejohet vetëm një blerës për çdo 20 metra katrorë.

Ndërkohë restorantet dhe hotelet duhet të presin së paku deri në mesin e majit dhe asnjë organizim nuk do të mbahet deri në fund të qershorit, bëri të ditur kancelari konservator.

Që nga e hëna, autoritetet kanë kërkuar nga shitësit që të vendosin maska në dyqane dhe barnatore që kanë sipërfaqe më të madhe se 400 metra katrorë.