Audi zbulon S6 e S7 2020, TDI për Evropë e TFSI për SHBA

Audi Sport ka lansuar 3 modele të reja S, njëri S6 Sedan tjetri S6 Avant si dhe S7 Sportback.

Audi zyrtarisht ka zbuluar e konfirmuar thashethemet që kanë qarkulluar qe tetë vite, motorët me naftë në modele S.

Në zemër të këtyre tri veturave është motori 3.0 litërsh V6 TDI me një kompresor elektrik e sistem gjysmë hibrid 48-volt për të kursyer harxhimin e karburantit e për të fuqizuar performancat.

Audi në modelet e reja, S6 e S7 pohon se kanë nga 349 kuajfuqi (257 kilowatts).

Sa i përket performancave, duket se S6 Sedan do të jetë më i shpejti nga këto tri modele, duke arritur shpejtësinë nga 0 në 100 km/h për 5 sekonda, ndërsa ai S6 Avant e S7 Sportback iu duhet edhe 1 sekondë më shumë për të arritur këtë shpejtësi, pas që të dyja janë shumë më të rënda.

Shpejtësia maksimale e të tre modeleve është e limituar në mënyrë elektronike në 250 kilometra në orë.

Përderisa në Evropë ofrohen motorët e avancuar TDI, në tregjet tjera siç është SHBA-ja, Azia e Lindja e Mesme, kjo kompani ofron modele me benzinë me motor 2.9 litërsh V6 twin-turbo.

Ky motor prodhon 450 kuajfuqi e i njëjti motor gjendet edhe në RS4 Avant, RS5 Coupe e RS5 Sportback.

Audi nuk ka treguar performancat që versionet TFSI kanë në këto tre vetura.