Politikani shqiptar

“Asociacion për njohje de-facto”, Pollo: Macron, Scholz thanë diçka që Borell e Lajçak nuk arrijnë ta thonë kurrë

Politikani shqiptar dhe ish-zv.kryeministri, Genc Pollo, ka shkruar lidhur me zhvillimet që po ndodhin në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pollo ka thënë se në komunikatën e lëshuar nga Scholz, Macron dhe Meloni u tha thelbi i propozimit franko-gjerman e që është “Kosova të themelojë Asociacionin, dhe Serbia të ofrojë njohjen de-facto”.

Pollo e ka konsideruar këtë si një ofertë të drejtë, derisa të krijohen kushtet për një njohje të ndërsjellë diplomatike.

“Kjo është një “quid pro quo” e drejtë. Derisa të krijohen kushtet për një njohje të plotë të ndërsjellë diplomatike. Puna është se duhej deklarata e përbashkët e liderëve të Gjermanisë dhe Francës për ta deklaruar këtë publikisht”, ka shkruar tutje Pollo.

Politikani shqiptar ka thënë se lehtësuesit e dialogut nga BE-ja nuk arrijnë kurrë që të thonë një gjë të tillë, pavarësisht se kanë punuar me planin franko-gjerman prej dy vitesh.

Pollo thotë se edhe në konkluzionet e Këshillit të BE-së pas takimeve në Bruksel përmendet vetëm Asociacioni por jo edhe njohja de-facto nga Serbia.

Sipas tij, kjo vërteton edhe më tej dyshimet për mungesë të largpamësisë dhe për paragjykime nga lehtësuesit.

“Shpresojmë se kjo mund të korrigjohet, por vetëm nëse udhëzimet e rrepta nga drejtuesit do ta drejtojnë procesin në fazën tjetër”, ka shkruar Pollo.