Arsenali heq dorë nga Perisic
Arsenal pritet të zyrtarizojë sot afrimin e Denis Suarez nga Barcelona, i cili do të shkojë në Londër në formë huazimi për gjashtë muaj, me të drejtë blerje për 20 milionë paund në fund të sezonit.
Megjithatë Unai Emery po kërkon një sulmues për krahun e majtë dhe është vënë në lëvizje. Tratativa me Interin për të marrë shërbimet e Ivan Perisic ka ngecur, sepse klubi zikaltër kërkon shitjen e menjëhershme të kroatit dhe nuk pranon huazim me të drejtë blerje.
Duke u larguar nga kjo pistë, “Gunners” janë vënë pas emrit më të përfolur që dëshiron të kthehet në Evropë.
Yannick Carrasco ka shprehur vullnetin për t’u larguar nga Kina dhe Inter e Milan janë vënë pas tij. Së fundi, mësohet se Arsenal ka filluar negocimin me ish sulmuesin e Atletico Madrid dhe priten zhvillime të reja kur kanë mbetur edhe 48 orë nga mbyllja e merkatos.