Arrestohen tre shqiptarë në Greqi, njëri kishte fshehur kokainën në taksi

Tre shtetas shqiptarë dhe një grek janë arrestuar në Athinë nën akuzën e trafikut të kokainës.

Sipas drejtorisë së antidrogës së Atikës, katër të arrestuarve iu sekuestrua sasi prej 9.3 kilogramë kokainë e pastër, si dhe një sasi prej 900 gramë kanabis.

Mësohet se lënda narkotike ishte e fshehur në një automjet taxi të cilën e përdorte njëri prej shtetasve shqiptarë, ndërsa prej kontrolleve në banesat e të dyshuarve u gjetën edhe sasi të tjera të drogës, peshore dhe dy pistoleta.

Policia thotë se të arrestuarit e sillnin drogën nga Shqipëria dhe e shpërndanin në Athinë.

Ata do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet do të vijojnë prej antidrogës së Atikës.