VIDEO

Arrest shtëpiak për serbin që u arrestua në Jarinje: Avokati i tij Asdren Hoxha jep detaje

Arrest shtëpiak për të dyshuarin L.J është caktuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

L.J ishte arrestuar në Jarinje si i dyshuar për posedim armësh, teksa po shkonte në varrimin e njërit prej terroristëve që u vranë në Banjskë.

Avokati i serbit, Asdren Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka gjetur municion në shtëpinë e serbit. Kjo pas deklaratave nga drejtori i Policisë se mund të ketë ndonjë ndërlidhje me grupin terrorist.

“Ishim në seancë bazuar në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për klientin tim L.J. Është mbajtur seanca dhe pas paraqitjes së mbrojtjes, prokuroria ka ndryshuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit dhe e ka zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak”, tha Hoxha.

“Mendoj se është e nevojshme t’ju them se klienti im nuk ka pasur armë për t’i konfiskuar, në banesën e tij është bërë kontroll dhe nuk është gjetur asnjë armë, nuk i është konfiskuar asgjë në mënyrë të paligjshme. Bëhet fjalë për disa foto të vjetra ku ai është parë me disa armë dhe kemi arritur të sqarojmë se nuk është armë e vërtetë, Prokuroria kur kemi kundërshtuar provat është pajtuar që ky person nuk ka nevojë të mbahet në paraburgim, me çka ne në thelb jemi të kënaqur”, tha Hoxha.