Program

ARDUINO – Burim i pashterur i imagjinatës

Një mikro-kontrollues i vogël, me përdorim të lehtë jo vetëm për fillestarët, është duke bërë revolucion nëpër botë.

Bëhet fjalë për Arduino, një platformë elektronike me burim të hapur e bazuar në software e cila ka frymëzuar mijëra njerëz në të gjithë botën për të bërë gjërat më interesante që ata mund të imagjinojnë – nga lodrat deri tek pajisjet komplekse shkencore, duke shërbyer si pajisje kontrolluese dhe komanduese.

Përmes Programit “Përkrahje Adoleshentëve pas mësimit të rregullt” – ASSET, Arduino është duke u mësuar nga nxënësit në gjimnazet partnere të Programit përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare.

Revolucion i burimit të hapur

Atëherë kur fillon të kuptosh se si funksionon dhe çfarë është në gjendje të krijojë Arduino, ju mund të krijoni pa limit projekte reale. E njëjta është duke ndodhur edhe në Kosovë. Ekipi i Programit së bashku me ekspertët e organizatës partnere Free Libre Open-Source Software (FLOSSK) organizojnë trajnime për nxënësit e klasës X, XI, XII në 16 gjimnazet partnere të Programit ASSET.

Nxënësi duke punuar në Arduino, gjatë trajnimit

Por përse mësimet e bazuara në Arduino janë të shkëlqyera në aktivitetet shkollore:

Ato janë një pikënisje e shkëlqyeshme për zhvillimin e shkathtësive kritike: Arduino është një përvojë e shkëlqyeshme për të filluar me eksperimentet e kodimit dhe programimit. Është një sistem i elektronikës ku nxënësit përsosin mendimin e tyre llogaritës dhe mësojmë gjuhë të ndryshme programuese;

Janë efikase: Ndryshe nga eksperimentet e tjera, me Arduino ju mund të krijoni dhe të kryeni dhjetëra eksperimente pa shpenzime shtesë. Kjo nënkupton që pagesa fillestare mund të jetë e lartë, por pajisja mund të përdoret gjatë dhe në shumë forma. Kjo është shumë tërheqëse për nxënësit sepse mund të eksperimentojnë për një përiudhë afat-gjate.

Ofrojnë përvoja transformuese të të nxënit: Pasi që shumica e mësimdhënësve nuk kanë njohuri të mjaftushme në kodim, trajnimi Arduino zhvillon shkathtësitë kreative duke eksperimentuar vetë.

Përvoja me Arduino

Përvojën e tij të mirë me trajnim e ka ndarë edhe nxënësi i gjimnazit “Hajdar Dushi” – Gjakovë, Olti Këspuska.

“Javën e kaluar isha pjesë e një trajnimi rreth njohurive bazike të Arduinos të organizuar nga ASSET. Edhe pse 4 orë mund të duken shumë, trajnimi ishte shumë atraktiv tërë kohës dhe nuk e ndjeva monotoninë. Në pjesën e parë kishte informacione që i kisha mësuar një vit të parë, por e veçanta është që përveç që i mësuam njohuritë themelore, u futëm edhe në praktikë – u shpreh Olti.

Interesimi i tij në fushën e programimit ka bërë që të ndjek në mënyrë të vazdueshme sesionet dhe garat me Arduino.

Gjatë një bashkëbisedimi me Besfort Guri-n nga organizata joqeveritare FLOSSK, i cili përmes Programit ofron trajnime për Arduino/Elektronikë, kuptuam që nxënësit kanë një interesim të jashtëzakonshëm. Ai tregoi poashtu që Arduino është zbuluar në vitin 2007, por në Kosovë ka filluar përdorimin nga 2011.

Sipas tij, Arduino në sistemin arsimor të Kosovës ka filluar të integrohet nga vitit 2014-15 pas përkrahjes së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët i pajisën shkollat në vend me disa produkte Arduino starter kit.

Kurse, Programi ASSET i ka furnizuar të 16 gjimnazet partnere me pajisje të ndryshme teknologjike, përfshirë edhe një pako me Arduiono dhe komponente të ndryshme elektronike, në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit të realizojnë projekte të ndryshme kreative në mjediset shkollore.

“Nxënësit në trajnimet me Arduino kanë interesim të jashtëzakonshëm, sepse po e shohin veten duke u gërshetu në industrinë e programimit dhe këtu po ndërlidhen shumë mirë mes vete, prandaj edhe po e pranojnë me shumë pozitivitet këtë trajnim” – shprehet ai.

“Përgjatë pandemisë trajnimi është duke u zhvilluar online dhe jemi duke përdorur Tinkercad si simulator, mirëpo nëse ne i kishim mbajtë këto trajnime fizikisht puna praktike do të ishte më efektive. Ndjesi tjetër do të ishte sikur të punonim fizikisht” – vazhdoi Besforti, duke potencuar sfidat e trajnimit online.

Nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi”- Gjakovë duke mbajtur sesion informues për Arduino. Ky sesion i organizua nga Klubi i Karrierës pas trajnimit të mbajtur nga Programi për Arduino

Përdorimin e tinkercad dhe çfarë kanë punuar me Arduino na tregon edhe Olti gjatë bisedimit me të.

“Në pjesën e dytë të trajnimit arritëm që njohuritë e mësuara t’i fusnim në përdorim duke lidhur një qark për akitivizimin e LED-it. Kjo u bë e mundur nga platforma Tinkercad, duke i ndjekur hapat dhe sfidat e trajnerit. Kodimi dhe lidhja e LED-it me Arduinon ishte një lloj loje për trurin dhe zgjonte mjaft interes për vazhdimin e trajnimit. Në fund, formuam semaforin rrugor” – na tregoi Olti me shumë pasion.

Besforti i cili tash e 2 vite është duke bashkëpunuar me ASSET thekson ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit:

Kompletimi i seteve në shkolla;
Shkolla verore;
Trajnimet me nxënësit;

Trajneri Besfort Guri së bashku me nxënësit nga Gjimnazi “Gjon Buzuku”- Prizren

Trajnimi për Arduino organizohen nga Programi “Përkrahja e Adoleshentëve pas Mesimit të Rregullt” ASSET, në partneritet me organizatën Free Libre Open-Source Software (FLOSSK). I inkurajojmë të gjithë nxënësit e gjimnazeve partnereve të bëhen pjesë e tyre.

*(Ky artikull është shkruar nga Fjolla Vukshinaj – Reçica dhe Gresë Latifaj. Fjolla
aktualisht është e angazhuar si zyrtare e komunikimit kurse Gresa si praktikante në
Programin e USAID-it “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”. Ky artikull
jodomosdoshmërisht paraqet pikëpamjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për
Zhvillim Ndërkombëtarë ose Qeverisë së Shteteve të Bashkuara).