Aplikimi i Kosovës në INTERPOL? Flet Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar nëse Kosova do të aplikojë sërish për anëtarësim në INTERPOL, që këtë vit Asamblenë e Përgjithshme do ta mbajë në Kili, në muajin tetor.

Ai ka thënë se akoma nuk dihet nëse votimi për Kosovën do të futet në rend dite në këshillin e Organizatës Botërore të Policisë.

“Ne jemi në rend të ditës si temë, por ende nuk ka hyrë në rend dite çështja e votimit. Sot e kam marrë konfirmimin me shkrim prej drejtorisë së INTERPOL-it në Lyon të Francës që jemi pjesë e diskutimit, por ende nuk është vendosur për të hyrë në votim ose jo”.

“A do të hyjmë në votim është çështje, por a kualifikohemi në agjendë – është edhe kalkulim i yni. A e dëshirojmë votimin kësaj here në Kili që është një vend, për fat të keq, jonjohës për ne?”.

“Do ta shqyrtojmë a do të jemi në votim këtë herë apo do ta lëmë për një takim të radhës në agjendë të INTERPOL-it”.

Shefi i Qeverisë që këto deklarata i ka bërë gjatë një vizite pune në Fushë Kosovë ka ironizuar me deklaratën e Ministrit të Punëve të Jashtme Ivica Daçiq që ka thënë se nëse Kosova tenton sërish të anëtarësohet në INTERPOL është një “vetëvrasje e radhës”.

“A po i dhimbsemi atij, a?”.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme që ishte mbajtur më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk arriti t’i marrë 2/3 e votave të nevojshme për t’u bërë pjesë e njërit nga mekanizmat më të rëndësishëm të sigurisë në botë.

loading…